Për Ilir Metën, politikan aktiv që prej vitit 1992 kur u fut vetëm 23 vjeç në Kuvendij e Shqipërisë, kjo e 11 majit do të jetë disfata më e madhe në historinë e tij mbi 33 vjeçare në politikë.
Ish Presidenti, ish kryetari i Kuvendit dhe ish Kryeministri me gjasë nuk do të jetë në parlamentin e ardhshëm. Në listën e hapur të koalicionit të udhëhequr nga PD, ai mbetet larg kreut të kësaj liste, për të shpresuar një vend në parlament, që do të ishte dhe çelësi për t’i hapur dyert e qelisë duke i rikthyer lirinë. Prej 7 muajsh ai ndodhet në paraburgim, nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie
Ndonëse numërimi për kandidatët nuk ka përfunduar, tendenca e votave në favor të tij, tregon se ai do të mund të luhatet mes 6000-7000 votave, as 25 përqind e atyre që partia e tij, ish LSI mori në vitin 2021. Në Qarkun e Tiranës kjo forcë politike, që në atë kohë drejtohej nga ish bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, mori 28 mijë vota..
Në listën e koalicionit opozitar, Ilir Meta renditet i katërti me një numër votash gati 3 herë më pak se i vetmi që merr një mandat nga lista e hapur në Tiranë nga opozita, Ilir Alimehmeti. Meta kalohet ndjeshëm në numër votash edhe nga Jorida Tabaku e cila renditet e dyta, edhe ajo me gati 250% më shumë vota se presidenti i Partisë së Lirisë, i cili kalohet edhe nga një kandidate e panjohur si Loranca Hoxha. Një situatë e cila e bën ta pavlefshme edhe një sakrificë të mundshme nga njerëzit e partisë së tij në listën e sigurt, edhe sikur të dy ata të jepnin dorëheqjen, për t’i hapur rrugë përfshirjes së tij në parlament. Nëse do të shikonim edhe votat e PS, Ilir Meta është më keq se 7 kandidatë socialistë.
Këshillën dhe propozimin që aleati i tij Berisha ia dha për t’u futur në listën të sigurt Ilir Meta e refuzoi, teksa u përpoq të ndiqte të njëjtin instinkt politik të guximit si në vitin 2005 kur vetëm pak muaj pasi krijuar një parti të re nuk pranoi të futej në listën proporcionale por kandidoi në mazhoritar në Skrapar dhe fitoi. Por 20 vite më vonë gjërat kanë ndryshuar shumë.
Renditja e kandidatëve të PD-ASHM nga votat preferenciale, Meta i pesti
Komente
