FUSHË MAMURRAS- Kjo çadër verore është streha e familjes Uka në Fushë-Mamurras prej afro 5 muajsh.
Tërmeti i 26-nëntorit 2019 shkatërroi plotësisht banesën e tyre. Shenjat janë ende të dukshme...një pjesëz ballkoni që mbeti pa shembur qëndron si relike.
Në kushte aspak të përshtatshme dhe në situatë të vështire ekonomike, gjendja e krijuar nga pandemia COVID-19 ju ka veshtiresuar edhe më shumë jetesën 4 anëtareve të kësaj familje. Për shkak të izolimit, kryefamiljari thotë se ka mbetur pa punë.
"Ka qenë shumë e vështirë, ndaç për punë, për të gjitha, edhe për ndihmat. Shumë e vështirë ka qenë kjo situata edhe tërmeti dhe ky virusi që ra tani, u bën bashkë të dyja. Kam pasur punë me ditë, ku të dalë këtu në fshat", shprehet ai.
Duke qenë se virusi ka prekur edhe fshatin e tyre frika e infektimit është e madhe. Gratë e familjes shprehen se është e v¡shtirë na mbash higjienën në çadër.
"Ça të jetë e shkruar do të bëhet. Pa kushte, pa asgjë, të frikësuar jemi se s'është higjiena e njeriut për të jetuar", thotë e moshuara.
"Nga virusi jemi shumë të rrezikuar se s'kemi asnjë lloj higjiene, asnjë lloj kushti. Ne s'dalim rrimë në shtëpi", shprehet e zonja e shtëpisë.
Në situatë të ngjashme janë shumë familje të prekura nga tërmeti në Fushë-Mamurras. Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia COVID-19 i ka zbehur shpresat e tyre se banesat mund të rindërtohen në një kohë të shpejtë.