Paçe me plëndës
Përbërësit:
- 1.5 kg plëndës
- 5-6 kokrra piper
- 1 gjethe dafine
- 1 lgj vaj ulliri
- 1 lgj gjalpë
- 1 lç miell
- 1/2 lç salcë
- Spec djegës
- Kripë, piper
Për servirjen e plëndësit:
- 5-6 thelpinj hudhër
- 3 lgj uthull
- 1/2 lëng limoni
- 1-2 lgj vaj ulliri
- Kripë, piper
Përgatitja:
Pasi e kemi larë plëndësin me ujë të ftohtë e kalojmë në ujë të përvëluar për rreth 30 sekonda. Më pas e pastrojmë derisa të zbardhet plotësisht. Plëndësin e pastruar dhe të larë mirë e vendosim të ziejë në ujë të ftohtë. Ndërkohë vendosim mbi sobë një qepë të piqet dhe më pas e shtojmë tek plëndësi bashkë me 1 gjethe dafine, disa kokrra piperi dhe kripë. Pasi ka zier, largojmë gjethen e dafinës, kullojmë lëngun dhe presim plëndësin në copëza të vogla. Në një tenxhere kaurdisim pak miell me gjalpë dhe vaj ulliri. Sapo mielli të marrë pak ngjyrë shtojmë salcën, e përziejmë mirë dhe hedhim lëngun e ngrohtë të plëndësit. E trazojmë mirë që të mos kokrrizohet. Sapo lëngu të fillojë të marrë valë vendosim copëzat e plëndësit dhe pak spec të kuq djegës. Shtypim hudhrat, shtojmë uthull, vaj ulliri, lëng limoni, kripë, piper. Paçen e plëndësit e servirim të ngrohtë duke hedhur në çdo pjatë nga 1 lugë nga salca e përgatitur me hudhër dhe uthull.