Sport
Top 24

Padia kundër Nishanit, Panucci: Njerëzit duhet të flasin me edukatë, dua fitoren përballë Izraelit

6 Shtator 2018, 19:08| Përditesimi: 6 Shtator 2018, 21:04

  • Share

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Christian Panucci ka folur për herë të parë për padinë kundër ish-Presidentit Nishani, i cili e quajti sharlatan që po shkatërron ekipin përfaqësues, pas humbjes së kuqezinjve përballë Kosovës. Tekniku tha se njerëzit duhet të flasin me edukatë dhe të tregojnë respekt.

Kam vetëm një gjë për të thënë, njerëzit duhet të flasin me edukatë dhe të vlerësojnë punën e të tjerëve, jo t’i ofendojnë. Janë punët e mia personale, nuk ka rëndësi nëse flas apo jo me presidentin Duka për këtë çështje

Christian Panucci

Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani u padit dhe i kërkohet nga Christian Panucci të paguajw 100 mijë euro në formë dëmshpërblimi ndaj trajnerit italian të kombëtares shqiptare Cristian Panucci pas deklaratave. E ndërsa nuk pranoi që të zbulonte detaje për formacionin nesër kundër Izraelit, tekniku vlerësoi kundërshtarin dhe u shpreh optimist për fitoren.

Uroj që nesër të kthehemi të fitojmë. Jemi përgatitur dhe shpresoj shumë që nesër të rikthehemi në paraqitjet pozitive dhe të marrim rezultatet e duhura. Për formacionin do të vendos nesër se kush do të zbresë në fushë. Në një ndeshje të tillë kemi punuar me eksperiencën e skuadrës dhe vetëm nesër do ta zbulojmë se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë do të ndryshojë në skuadrën e Shqipërisë.

Christian Panucci

Shqipëria merr pjesë në Ligën C të Ligës së Kombeve, ku shorti e vuri në një grup me Skocinë dhe Izraelin. Kuqezinjtë do të debutojnë më 7 Shtator të këtij viti në Shqipëri, përballë Izraelit, ndërsa 3 ditë më vonë do të udhëtojnë në Skoci. Në 14 Tetor kuqezinjtë do të udhëtojnë në Izrael, ndërsa më 17 Nëntor do të luajnë ndeshjen e fundit, atë me Skocinë në Shqipëri.

Ora 21:40
Liga e Kombeve, trajneri i Izraelit: Duhet të përfitojmë nga gabimet e Shqipërisë

Trajneri i Izraelit, Andreas Herzog u shpreh nga Elbasani mbrëmjen e sotme se ekipi i tij i ka të gjitha shanset për të fituar ndeshjen përballë Shqipërisë.

Shqipëria ka disa lojtarë të rinj dhe duhet të shohim si do luajnë, por e njohim mirë forcën tonë. Duhet të shfaqemi në maksimum të luajmë shumë mirë dhe të përfitojmë nga gabimet e kundërshtarit. Duhet të tregohemi të zgjuar, Shqipëria ka disa lojtarë të shpejtë dhe duhet të kujdesemi fillimisht për mbrojtjen më pas të mendojmë për fazën sulmuese. Dua të shoh një skuadër të përqendruar në mbrojtje dhe në sulm dhe dua që fryma e grupit të shfaqet në fushë. Kemi cilësinë të fitojmë, por duhet ta bëjmë mirë punën tonë për ta realizuar këtë.

Andreas Herzog

Ora 20:28
Kapiteni Agolli: Kam një jetë këtu, harrojini miqësoret, nesër përballë Izraelit do të jetë ndryshe

Kapiteni 35-vjeçar i kuqezinjve Ansi Agolli u shpreh i lumtur për rikthimin në kombëtare, ndërsa deklaroi se ekipi është gati për nesër përballë Izraelit.

Nuk është momenti të kujtojmë humbjet në miqësore. Grupi ka marrë shumë mësime. Nesër do të jetë diçka ndryshe. Më duket sikur nuk kam ikur nga Kombëtarja, dhe kam 1 jetë. Janë të njëjtët djem, që do të japin maksimumin. Është një klimë pozitive kemi punuar mirë dhe skuadra është gati për nesër. Objektivi i parë i jonë është të paraqitemi mirë dhe pse jo të fitojmë ndeshjen.

Ansi Agolli

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?