Paditë në SPAK për Nallbatin e Sinajn, precedenti që i ‘zhbën’! Gjykata e Lartë: Grushtet në Kuvend jo vepër penale

1 Nëntor 2023, 17:39| Përditesimi: 2 Nëntor 2023, 09:17

  • Share

Ky moment, kur deputeti i Rithemelimit Bledion Nallbati goditi me grusht kolegun socialist Vullnet Sinaj në seancën parlamentare të 30 tetorit, ka bërë që të dy protagonistët të kallëzohen në SPAK.

Për Partinë Socialiste goditja e Nallbatit ndaj kolegut Sinaj përbën vepër penale dhe për këtë kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi ka firmosur kallëzimin penal të cilin e ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Goditje këtu e ka parë edhe Rithemelimi por në këndvështrim të kundërt. Kryetari i grupit Gazment Bardhi në një dokument që edhe ai mban datën 31 tetor ka firmosur kallëzimin penal ndaj deputetit Sinaj. Të dyja kallëzimet janë për veprën penale të "Goditjes për shkak të detyrës".

Kjo nuk do të ishte hera e parë që një deputet do të shkonte para gjykatës për shkak të dhunës ndaj kolegëve në parlament.

Më 14 korrik në vitin 2014 deputetët e atëhershëm Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu goditën deputetin Strazimiri dhe Prokuroria e Përgjithshme i mori të pandehur. Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Lartë, e cila mbylli dosjen duke argumentuar se akte të tilla nga ana e deputetëve nuk përbëjnë vepër penale dhe si të tilla, duhet të gjykohen administrativisht nga vetë Kuvendi i Shqipërisë.

Në vendimin e 10 qershorit 2015 Gjykatësit më të lartë në vend arsyetuan se çështja penale e nisur nga prokuroria pas denoncimit të Partisë Demokratike, nuk duhej të kishte nisur si çështje penale pasi veprime të tilla përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje të cilat gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi.

Nëse edhe në rastin e Nallbati apo Sinaj ky vendim i Gjykatës së Lartë do të konsiderohet si precedent apo jo nga SPAK pritet të shihet në ditët në vijim.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?