Paga e luftës favorizon biznesin, neglizhon turizmin

30 Qershor 2020, 13:26| Përditesimi: 30 Qershor 2020, 13:36

  • Share

Është drejt përfundimit shpërndarja e ndihmës ekonomike prej 40 mijë lekësh.

Nga afro 169 mijë punonjës përfitues vetëm 795 prej tyre nuk e kanë marrë. Nga fondi prej 7 miliardë lekësh kanë mbetur edhe 300 milionë për tu shpërndarë. Duket se më të privilegjurit për të perfituar pagën e luftës kanë qenë punonjësit e biznesit të vogël, rreth 66 mijë.

Ndërsa më të neglizhuarit i përkasin sektorit të turizmit. Sipas Ministrisë së Financave deri më 25 qershor e morën pagën 40 mijë lekë, 4 mijë e 874 persona nga 10 mijë përfitues të parashikuar në fillim pas hartimit të paketës së zgjeruar, pra më pak se gjysma.

Nga të dhënat e përditësuara deri më datë 25 qershor, bonusi financiar është marrë nga 9 mijë e 366 punonjës të biznesit të madh, ndërkohë janë në proces lëvrimi pagat edhe për një numër të vogël punonjësish të tjerë.

Nga 169 mijë përfituesit e pagës së luftës, rreth 64 mijë prej tyre janë të larguar nga puna gjatë periudhës 1 mars deri më 17 maj të cilët e kanë përfituar pagën prej 40 mijë lekë. 364 të tjerë janë në pritje.

Procesi është shoqëruar edhe me ankesa, pasi janë mbi 22 mijë punonjës që kanë marrë pagën prej 40 mijë lekësh pasi kanë ngritur shqetësimin. Ndërkohë që vijohet edhe me shqyrtimin e ankesave të tjera dhe formularëve të dorëzuar nga biznesi me arsyet e mos-aplikimit.

Nga paketa e dytë fillimisht u parashikua që numri i përfituesve të ishte 176 mijë, dhe me ndryshimet që pësoi vendimi në muajin maj numri real i përfituesve arriti në 210 mijë punonjës përfshirë edhe 721 punonjës të rafinerisë së Naftës në Ballsh.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?