Edhe për një punim shkencor, pedagogët detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre, kështu u shpreh ndër të tjera Kreu i sindikatës së universiteteve, Sandër Kovaçi, i ftuar në ‘Studio Live’ me Arbër Hitaj në Report Tv.
Kovaçi u bëri thirrje institucioneve përkatëse për rritjen e pagave të pedagogëve të cilët sipas tij paguhen në masë në të njëjtin nivel me shkollat e mesme. Ai u shpreh gjithashtu se bordi i administrimit nuk ka kompetenca për të rritur pagat e pedagogëve.
‘Një numër shumë i madh i pedagogëve marrin deri diku te niveli i shkollave të mesme pra diku te 60 mijë lekë të reja. Pastaj doktori që merr 75 mijë lekë-80 ose 85 mijë lekë (të reja).
Bordi i administrimit nuk ka kompetenca që të rrisë pagat e pedagogëve. Se thonë se universitetet i vendosin vetë, por kjo nuk është e vërtetë. Universiteti ka nevojë edhe për rritjen e investimeve. Sa i përket botimeve dhe kërkimit shkencor, investimet janë ndër më të ulëtat në rajon. Nuk mund të bësh asnjë punim shkencor, pedagogët detyrohen në paguajnë me lekët e tyre.’- tha Kovaçi.
I pyetur nëse këtë shqetësim e ka ngritur edhe në institucione të tjera Kovaçi tha se ka dërguar në qeveri si dhe te ligjvënësi dhe ekzekutivi, ndërsa tha se këto të fundit së paku u kanë kthyer përgjigje ndryshe nga qeveria e cila nuk ka denjuar, sipas tij.
‘Ja kemi dërguar kryeministrit dhe ministres së arsimit. Insistojmë që qeveria të jetë në kohë që mos të thotë s’kemi kohë. Nga ligjvënësi dhe ekzekutivi na kanë thënë se do të insistohej dhe gjatë seancës parlamentare, pra miratimi ekziston por pa asnjë lloj lëvizjeje.
Nga qeveria nuk kemi marrë asnjë përgjigje as të shkresës, një arrogancë, një pakujdesi. Edhe në kohën e komunizmit përgjigja e shkresës merrej e së paku thuhej se e kemi marrë shkresën e do të diskutohet. Kurse këtu është një mungesë e theksuar e komunikimit me publikun... ato janë edhe me vulë.’- tha ai.