Foto ilustruese

Paga maksimale rritet në 176.4 mijë lekë/muaj! 24 mijë të punësuar do paguajnë rreth 15 mln euro më shumë sigurime në vit

3 Mars 2023, 07:36| Përditesimi: 3 Mars 2023, 07:39

  • Share

Nga 1 prilli paga minimale në vend do të bëhet 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që ishte deri tani, sipas vendimit të fundit të qeverisë, duke u rritur me 17.6%.

Rritja e pagës minimale, automatikisht çon dhe në atë të pagës maksimale. Burime nga Ministria e Financave thanë për Monitor se raporti do të vijojë të mbetet i njëjtë, pra me të njëjtën përqindje që rritet paga minimale, më atë rritet dhe paga maksimale.

Si rrjedhojë, nga 1 Prilli, paga maksimale, që sot është 149,954 lekë, do të rritet po me 17.6%, duke arritur në 176,416 lekë. Ky nivel i ri i pagës maksimale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës së sigurimeve shoqërore, që paguhen si nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi.

Sipas llogaritjeve të ekonomistëve, në total, për një individ që i paguan sigurimet për pagë maksimale, rritja e saj nga 1 prilli automatikisht do të sjellë pagesa 17.6% më të larta. Konkretisht, shuma totale e sigurimeve për pagën maksimale (që paguhet si nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi) do të jetë 43,222 lekë në muaj, nga 36,739 lekë në muaj, që ishte më parë, ose 6,483 lekë më shumë (nga të cilat 3,969 lekë do i paguajë punëdhënësi dhe 2,514 punëmarrësi), shiko tabelën në fund.

Rritja e vazhdueshme e pagës minimale, e shoqëruar me atë të pagës maksimale për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore në fakt ka shtuar barrën fiskale te punonjësit me paga relativisht të larta, të cilët penalizohen edhe nga tatimi i lartë i pagës prej 23% mbi kufirin e 200 mijë lekëve (ky kufi u rrit nga 150 në 200 mijë lekë në prill të vitit të kaluar).

Ndërsa vitin e kaluar efekti i zgjerimit dy herë së pagës maksimale u kompensua disi nga rritja e kufirit të pagës që tatohet 23%, këtë vit rritja e pagës maksimale është kosto e shtuar, si për punëdhënësin, ashtu dhe për punëmarrësin.

Për rreth 24 mijë të punësuar do paguhen rreth 15 mln euro sigurime më shumë në vit

Sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve, në vend janë 23,862 të punësuar, që paguajnë sigurime për pagën maksimale aktuale prej 149,954 lekë. Nëse të gjithë ata do të paguajnë me pagën e re maksimale, shuma shtesë do të jetë rreth 115 milionë lekë (1.3) milionë euro) në muaj.

Për një vit, pagesa shtesë e sigurimeve, një pjesë e të cilave mbahet nga paga dhe pjesa tjetër derdhet nga punëdhënësi, luhatet në rreth 16 milionë euro (përllogaritjet janë bërë nga Monitor dhe janë të përafërta, pasi jo të gjithë këta të punësuar mund ta arrijnë nivelin e ri prej 176.4 mijë lekë në muaj).

Rritja e pagës minimale do të kompensohet për disa kategori

Rritja e pagës minimale do të sjellë një shtim të pagesave mujore të sigurimeve prej 1470 lekë në muaj (900 nga punëdhënësi dhe 570 nga punëmarrësi). Por, pjesa më e madhe e subjekteve që paguajnë punonjësit me pagë minimale do të kompensohen. Dy ditë më parë, ministrja e financave Delina Ibrahimaj bëri të ditur se do të subvencionohet elementi i rritjes së kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës me pagë minimale, që janë në listëpagesën e muajit dhjetor.

“Kjo ndihmë vjen në mbështetje të atyre bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Numri i përafërt që përfitojnë nga kjo masë është rreth 30 mijë persona. Kjo mbështetje do të jepet të gjithë subjekteve për të mbështetur koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023. Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet të pagës minimale të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale që kanë qenë të zbatuara vitet e kaluara”./Monitor

Komento

Komente

  • Gori: 03/03/2023 09:36

    Kjo mase rrezikon te rrise infornalitetin. Ne fasoneri, thone, pronari mban karten e bankes se punetorit, ia hedh nr banke pagen 340 mije minimale a sa eshte, edhe terheq pjese te saj. Shkurt punetori paguhet diku 200 mije ne fund.

    Përgjigju
  • Go west: 03/03/2023 09:23

    Ne situata krizash si kjo qe po kalon bisnesi te gjitha vendet europiane kane parashikuar masa mbeshtetjeje per individet dhe bisneset. Kjo rritje e pallogjikeshme e pages minimale per efekt rritje te pageses se kontributeve ndaj shtetit shkon ne kahje te kundert. Pagat e bisnesit te vogel rregullohen me kontrata dypaleshe punedhenes-punemarres, page 35000 lekeshe do te mbetet e tille sepse mundesite jene keto, alternativa mbetet te nderpriten kontratat dhe te shkurtohet fuqia punetore. Ne kete vendim ka shume voluntarizem, prepotence e dhune ndaj punes dhe njerezve te punes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?