Një gjë e tillë mësohet të ketë ndodhur në disa zyra arsimore si Durrës, Fier, Korçë, Maliq e të tjera. Një gjë e tillë është mohuar në një prononcim për gazetën "Panorama". Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar nënvizon se bëhet fjalë për një vonesë deri në dy ditë, ndryshe nga muajt e tjerë, për shkak se bëhen rakordimet e të ardhurave në mbyllje të një viti buxhetor, si paga, tatime, sigurime e të tjera.
PROBLEMATIKAT
Si rrallëherë, mësuesit janë paguar jo në fillim, por në gjysmë të muajit. Është Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar ajo që ngre shqetësimin e tyre. Kryetari i SPASH, Nevruz Kaptelli, liston një sërë detyrimesh që qeveria iu ka mësuesve, teksa flet edhe për shpërblimin e munguar në vite.
“Ka mësues të angazhuar në menaxhimin e provimeve të maturës dhe nuk janë likuiduar akoma, ndërkohë që disa zyra arsimore kanë disa muaj pa paguar transportin e mësuesve nga vendbanimi i tyre në shkolla. Mësuesit janë paraqitur në punë që në datën 1 shtator dhe transporti nuk u vihet në dispozicion në ditët e para. Që nga 2013-a nuk jepet shpërblimi i fundvitit. T’u jepet një shpërblim serioz deri në 50 mijë lekë të rinj, për arsye të vështirësive që hasën gjatë pandemisë”.
Ndërkohë që mësuesit pretendojnë se nuk kanë marrë atë për të cilën kanë rënë dakord dhe që janë të shprehura qartë në vendime qeverie, një tjetër premtim pritet të finalizohet vitin e ardhshëm, ai për rritje page me 6 për qind. Madje, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka shkuar më tej, duke u shprehur se kjo shifër do të jetë vetëm e para, pasi deri në fund të mandatit të tretë qeverisës, qeveria do ta çojë nivelin e rritjes me 32 për qind. “Në mandatin e kaluar pagat u rritën me 32%. Në këtë mandat objektivi është që pagat të rriten 32% dhe e kemi filluar që me buxhetin e parë. Për vitin 2022, për të gjithë punonjësit mësimorë, edukatorë dhe psikosocialë, në të gjitha shkollat pagat do të rriten me 6%. Një nga zërat në buxhet për vitin 2022 do të jetë përmirësimi i infrastrukturës shkollore”. Rritja më e madhe që iu është bërë arsimtarëve ka qenë ajo e vitit 2019 me 15%./ Panorama. al