Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se, shqiptarët janë më të keqpaguarit në Evropë dhe shtoi se Partia e Lirisë ka një plan të detajuar për nxitjen e rritjes ekonomike.
Duke iu referuar statistikave të Eurostat Xhixho thekson në një postim në rrjetet sociale, “punonjësit shqiptarë paguhen 2,47 euro në orë, ndërkohë që serbët paguhen 4,43 euro dhe boshnjakët 4 euro”.
“Shqiptarët paguhen sot edhe më pak seç paguheshin punëtorët në Mal të Zi 11 vjet më parë, 3,42 euro në orë. Jemi të fundit edhe për të ardhurat për frymë, të cilat janë në 36% e mesatares së Bashkimit Europian. Paradoksalisht, kemi çmimet më të shtrenjta në raport me mesataren e BE-së, sa 58% e mesatares europiane. Shqiptarët paguhen pak dhe detyrohen të paguajnë shumë. Rritja ekonomike që propagandon qeveria nuk përkthehet në mirëqenie për shqiptarët. “Suksesi spektakolar” i turizmit me të cilin mburret kryeministri nuk ka ndikuar në xhepat e qytetarëve shqiptarë, tha Xhixho.
Xhixho u shpreh se, Partia e Lirisë ka një plan të detajuar për nxitjen e rritjes ekonomike, uljen e kostos së jetesës, ashtu edhe përmirësimin e saj me paga më të larta dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike.
"Punonjësit e sotëm janë pensionistët e nesërm. Kjo qeveri që i ka zhytur në varfëri sot po u përgatit një jetë akoma më të vështirë në vitet e pensionit.
Shqipëria është e fundit për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale. Pensionistët gënjehen me bonuse elektorale, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta injorohen e lihen në mëshirë të fatit.
Qeverisë nuk i mungojnë paratë. Të ardhurat që gjenerohen nga pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe nga taksat e shqiptarëve shkojnë në xhepat e oligarkëve dhe humbasin në kanalet e korrupsionit.
Partia e Lirisë ka një plan të detajuar për nxitjen e rritjes ekonomike, uljen e kostos së jetesës, ashtu edhe përmirësimin e saj me paga më të larta dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike.
Në 11 maj votojmë ndryshimin masivisht për të përmbysur këtë sistem ekonomik që punon për klientët e qeverisë dhe jo për qytetarët. Aleanca për Shqipërinë Madhështore është mundësia për ta ndryshuar Shqipërinë!" shkruan Xhixho.
