Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.4% (3.39%) në tremujorin e parë të vitit, duke shfaqur edhe shenjat e ngadalësimit në raport me vjet. Sipas të dhënave të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto në periudhën janar-mars, u rrit më pak se i gjithë viti 2024, dhe për këtë rezultat ‘faji’ është tek kriza në sektorin e bujqësisë dhe rënia e industrisë dhe prodhimit të energjisë elektrike.
Shpëtimi i ekonomisë në këtë tremujor të parë të vitit duket se ka ardhur kryesisht nga rritja e pagave të administratës publike, pasi ndikimi i këtij grupi në rritjen ekonomike ishte 2.24%.
Në vend të dytë vijnë pasuritë e paluajtshme. Shitjet e pronave të shoqëruara me çmime të larta kanë dhënë kontribut pozitiv në ekonomi me 0.43%, ndjekur nga turizmi me 0.33% dhe më pas është sektori i ndërtimit me +0.16% rritje.
E kundërta ndodhi me sektorët që kanë numrin më të madh të punonjësve, bujqësia e industria. Prej vitesh në rënie dhe as 2025-sa duket se nuk po e shpëton bujqësinë, e cila u tkurr me 0.46% në këtë tremujor të parë, dhe industria që ra me 0.66 për qind.
Institucionet vendase dhe të huaja kanë parashikuar një ngadalësim ekonomik për vitin 2025, dhe pritet që i gjithë viti të mbyllet midis shifrave 3.5 dhe 4% rritje në raport me vitin e shkuar.
Ndërkohë në këto tre muaj të parë të viti është vënë re ngadalësim edhe i konsumit në krahasim me vitet e kaluara. Konsumi i qytetarëve në këtë periudhë u zgjerua me vetëm 2.45 për qind, niveli më i ulët që prej vitit 2021.
Kjo shifër tregon se tkurrja e popullsisë po jep ndikim në reduktimin e konsumit. Po ashtu edhe çmimet e larta kanë frenuar shtimin e konsumit nga qytetarët. Por kjo situata nuk është përmirësuar as nga turistët që erdhën në vend, të cilët vijojnë të jenë ‘kursimtarë’ dhe me shpenzime të ulëta.
Komente
