Pagoi 3.500 £, rrëfehet emigranti shqiptar që u dëbua nga Britania: Ishte torturë, do të doja të mos e kisha provuar kurrë të hyja ilegalisht

21 Nëntor 2022, 13:08| Përditesimi: 21 Nëntor 2022, 13:15

  • Share

Një emigrant shqiptar, Artan, 30-vjeç, i cili ka zgjedhur këtë identitet të rremë për shkak të vetëmbrojtjes nga frika e hakmarrjes, në një intervistë për BBC ka treguar detajet që nga mbërritja e tij në Britani si ilegal deri tek dëbimi i tij nga shteti.

“Unë nuk kërkova azil, u thashë se jam emigrant ekonomik. Na dhanë qeset plastike me gjërat tona, më thanë nesër në mëngjes do të mbërrini në Tiranë”, tha Artani në një intervistë për BBC.

Emigranti shqiptar u kishte paguar kontrabandistëve kurdë rreth 3,500 £ (4,169 dollarë) për udhëtimin e rrezikshëm nëpër Kanalin Anglez, duke marrë hua paratë nga miqtë dhe familjarët. Pavarësisht kërcënimit, ai arriti të regjistrojë disa pamje nga udhëtimi i tij përtej Kanalit.

“Trafikantët ishin të armatosur me thika dhe pistoleta. Ata na kërcënonin vazhdimisht, duke thënë të mos filmonim asgjë dhe as të mos pinim cigare pasi drita mund të tregonte vendndodhjen tonë”, tha ai, ku edhe pse nën kërcënimin e kurdëve, ai arriti të regjistrojë disa pamje nga udhëtimi i tij nëpër Kanal.

Ai gjithashtu tha se udhëtimi përtej Kanalit ishte një turturë, të cilët ishin përballur me stuhi të frikshme, duke kujtuar edhe se si autoritetet britanike i ndihmuan të dilnin të sigurt në breg.

“Udhëtimi përtej Kanalit ishte torture. Një varkë e policisë franceze u shfaq 20 minuta në udhëtimin tonë. Ata na shoqëruan nga një distancë ndoshta 200 metra, vetëm duke vëzhguar, gjë që na siguroi. Ata qëndruan për tre orë, ndoshta më shumë. Më pas kaluam në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe thirrëm policinë britanike. Ata na thanë se po vinin për të na marrë, se nuk duhet të na zërë paniku. Ata u sollën mirë dhe u dukën shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Ne u hodhëm në varkën e policisë në Mbretërinë e Bashkuar ku morëm jelekët e shpëtimit", tha ai.

Ai përfundoi në qendrën e pritjes Manston në Kent, ku përmendi se i tha gruas që e intervistonte se e dinte që ka hyrë ilegalisht, por nuk kishte ardhur për të kërkuar azil, por për të punuar, pasi ishte në gjendje jo të mirë ekonomike.

“Unë u thashë atyre se jam një emigrant ekonomik. Babai im është invalid. Prej 15 vitesh ai jeton me pensionin e një invalidi, nuk mjafton për të blerë ilaçet e tij. Po ka rrugë ligjore, por unë nxitova. Shkova për mënyrën më të shpejtë dhe më të lirë. Viza duhet të ishte më e lirë, por kisha nevojë për ndihmë me aplikimin dhe njerëzit paguajnë më shumë për këtë sesa udhëtimin me gomone”, tha Artani.

Një nga arsyet pse Artani u deportua ishte se ai ishte i sinqertë për arsyet e tij të udhëtimit në Britani. Ai nuk u përpoq të kërkonte azil, por këmbënguli se ishte atje për të punuar.

Largimi nga Shqipëria, veçanërisht për në Britaninë e Madhe apo Gjermaninë, është një aspiratë e përbashkët e shumë të rinjve këtu. Më shumë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe me varka të vogla këtë vit, grupi më i madh i emigrantëve që përpiqen të hyjnë në vend në këtë mënyrë. Mesatarisht më shumë se gjysma e shqiptarëve u jepet azil.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?