TIRANË-Vrasja e mbetur në tentativë e 59-vjeçarit Aredin Behari në qytetin e Fierit, në dy raste të ndryshme në vitet 2017 dhe 2019, është zbardhur nga Prokuroria e Posaçme.
Në pranga ka rënë Albert Pashaj, personi porositës që e donte të vdekur fierakun. Për të Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” dhe Policia e Shtetit ka ekzekutuar arrestimin të hënën e 26 qershorit.
Për të eliminuar Aredin Beharin për shkak të konflikteve që kanë pasur më herët, Albert Pashaj ka kontaktuar Henrik Hoxhajn, i arrestuar në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, bashkëpunëtor i hershëm i Nuredin Dumanit, kundrejt pagesës.
Për të kryer atentatin, Hoxhaj ka porositur bashkëpunëtorin e tij Skerdi Tase. Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë.
Një tentativë e dytë është bërë në 2019-ën, periudhë kur Albert Pashaj do të paguante 80 mijë euro për kryerjen e vrasjes të njëjtët persona. Edhe këtë radhë atentati nuk u krye me sukses pasi në Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi. Albert Pashaj akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”.
Ky është Aredin Behari, 59 vjeçari i cili u shpëtoi dy atentateve të porositura nga Albert Pashaj në vitin 2017 dhe 2019. Për eliminimin e tij, Albert Pashaj kontaktoi ‘ushtarin’ e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajn të cilin e ka paguar 80 mijë euro. Ky i fundit ka porositur ka porositur bashkëpunëtorin e tij Skerdi Tase. Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë. Ndërsa në 2019-ën, Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi.
SPAK ka zbardhur një vrasje të mbetur në tentativë në dy raste të ndryshme ndaj Aredin Beharit në qytetin e Fierit. Në pranga është vënë Albert Pashaj, i cili akuzohet si porositë i vrasjes, dhe ka paguar 80 mijë euro Henrik Hoxhaj e Skerdi Tasen për të krye ekzekutimin. Por të dyja atentate kanë dështuar. Sipas SPAK, Aredin Behari herën e parë pikasi vrasësit dhe u shtri në tokë ndërsa herën e dytë ekzekutorit Henrik Hoxhaj, iu bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.
Njoftimi i plotë i SPAK
‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur: • Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim A. P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer per interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të A. B., dy here, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit H. H. dhe S. T., parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.
Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve A. P. dhe të dëmtuarit A. B., i hetuari A. P., ka vendosur të vrasë shtetasin A. B. në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin H. H., që të kryeje vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës. Shtetasi H. H. pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin S. T., me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (H.H. dhe S.T. ndodhen aktualisht të arrestuar). H.H. dhe S.T. pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte S. T. në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve H. H. dhe S. T. vrasja e A.B. nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjehere dhe është shtrirë në tokë.
Por porositësi A.P. nuk është ndalur këtu. I hetuari A. P. ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit A. B.) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.
Për këtë arsye, të hetuarit H. H. dhe S. T., riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (A.B.) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte H. H., duke qënë se herën e parë i hetuari S.T. nuk e finalizoi me sukses.
Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit A. B.) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit H. H., pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.’- njofton SPAK.