Pak të interesuar për zëvendësimin e policëve në veri të Kosovës

13 Shkurt 2023, 21:33| Përditesimi: 13 Shkurt 2023, 21:48

  • Share

Rreth 140 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë aplikuan në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe. Prej tyre, 136 i plotësojnë kushtet dhe do t’i nënshtrohen testit me shkrim, më 20 shkurt. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë, Dejan Jankoviq, por pa saktësuar nëse në mesin e kandidatëve ka edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

Çështja e pjesëmarrjes së serbëve në policinë në veri të Kosovës është aktuale qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur mbi 550 prej tyre kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targa të Kosovës. Konkursi për pranimin e policëve të rinj u hap në fillim të janarit, ndërsa më pas u shty deri më 10 shkurt. Ndërkohë nisi edhe një fushatë “për rëndësinë e konkursit”, e cila u mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare dhe të ambasadave.

“Bashkojuni Policisë së Kosovës dhe kontribuoni në sigurinë e komunitetit tuaj. Përfitoni nga kjo mundësi, është në të mirë të komunitetit tuaj dhe juve”, ishte mesazhi i kreut të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, i publikuar në rrjetet sociale në kuadër të fushatës.

A ka Kosova plan për t’i kthyer serbët në policinë në veri?

Tash për tash nuk dihet se si do të plotësohen mbi 400 pozita të lira në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut - përmes konkurseve të reja apo rikthimit të atyre që kanë dhënë dorëheqje. REL iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me këtë pyetje, por nuk mori përgjigje. As Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka ndonjë plan për ta motivuar komunitetin serb që të bëhet pjesë e Policisë së Kosovës, apo nëse do të lejojë që ata që kanë dhënë dorëheqje, të kthehen.

Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ka katër stacione policore dhe tri nënstacione, të cilat mbulojnë qytetet: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe mbi 175 fshatra në territorin e këtyre katër komunave. Këto stacione policore, aktualisht, nuk funksionojnë me kapacitet të plotë, për shkak se nuk kanë mjaft staf dhe personel administrativ. Megjithatë, dhjetorin e kaluar, Kosova dërgoi njësi nga jugu në komunat në veri, të cilat përkohësisht kujdesen për sigurinë. Bëhet fjalë kryesisht për policë të komunitetit shqiptar, prania e të cilëve kundërshtohet nga popullata vendase.

Rikthimi i policëve të vjetër apo pranimi i të rinjve?

Banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë mendime të ndara nëse vendet e lira në polici duhet të plotësohen me konkurs apo me kthimin e atyre që kanë dhënë dorëheqje. Ivana thotë se “një komunitet pa mbikëqyrje policore nuk mund të jetë i shëndetshëm, vital apo normal”, por se fillimisht duhet t’u ofrohet kthimi ish-policëve, e më pas të shpallet konkursi për të rinjtë.

“Ka mundësi që njerëzit, ndërkohë, kanë ndërruar mendje. Nëse ata tregojnë mosinteresim, atëherë të ftohen njerëz të tjerë që të aplikojnë. Është e sigurt se ka njerëz që kanë nevojë për punë para së gjithash. Ata do të vinin për të punuar, pse jo, është një punë e mirë, nuk është e lehtë, por është e mirë. Dhe duhet sa më parë të normalizohet [kjo situatë], sepse nuk do të mund të funksionojmë për një kohë të gjatë kështu”, thotë Ivana.

Jovani thotë se në Policinë e Kosovës duhet të futen policë të rinj dhe në moshë të re.

“Të rinj të aftë, këta të moshuarit që janë pensionistë, le të dalin në pension”, thotë Jovani dhe shpreh besimin se disa ish-policë edhe do të refuzojnë të kthehen.

Në fakt, një nga kushtet e konkursit të Policisë së Kosovës është që kandidatët të mos jenë më të vjetër se 30 vjeç. Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë - të arritur në vitin 2013 - dhe shumica prej tyre tani janë mbi 30 vjeç.

Kthimi “në bazë të një vendimi politik”

Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, thotë se Kosova duhet ta lejojë kthimin e policëve serbë, por në bazë të një vendimi politik.

“...dhe pas kthimit të policëve të merret vendimi për amnisti, që shteti të mos i ngarkojë nesër për largimin e tyre. Prandaj, duhet të ketë një proces amnistie për ata policë që duan të kthehen”, thotë Radakoviq për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka fajësuar disa ish-policë serbë për incidentet në veri të Kosovës. Ai, po ashtu, ka thënë se rreth 50 për qind e ish-policëve në veri kanë punuar kundër interesave të Kosovës. Radakoviç thotë se punësimi i policëve të rinj në bazë të konkursit, nuk do ta zgjidhë problemin, sepse në atë rast, sipas tij, nuk do të ketë policë serbë me përvojë dhe as të tillë që mund të mbajnë poste më të larta.

Kushtet e vendosura para largimit nga institucionet

Përveç prej Policisë së Kosovës, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan edhe nga institucionet gjyqësore dhe nga administrata lokale. Këtë gjë e mbështeti Beogradi zyrtar dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta mundësojë këtë kthim.

Serbët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre në institucione në kohën kur kanë dhënë dorëheqje. Së bashku me përfaqësuesit politikë nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave dhe ta formojë Asociacionin ekomunave me shumicë serbe. Pasi është plotësuar kushti për riregjistrimin e makinave, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është këmbëngulur në themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por Kosova refuzon ta zbatojë atë me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj. Muajve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin, duke thënë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?