Paketa ‘Anti-shpifje’, OSBE: Të kënaqur që qeveria u tërhoq, legjislacioni të garantoje lirinë e medias

24 Tetor 2022, 14:41| Përditesimi: 24 Tetor 2022, 16:00

  • Share

Misioni i OSBE-së në Shqipëri, ka deklaruar se janë të kënaqur nga tërheqja e qeverisë mbi projektligjin për mediat. Me anë të një reagimi në Twitter, OSBE nënivizon se legjislacioni në lidhje me median duhet të garantojë lirinë e medias, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare.

“Jam e kënaqur që qeveria shqiptare tërhoqi nga axhenda parlamentare projektligjet e diskutueshme për median, të njohur si paketa “anti-shpifje”. I gjithë legjislacioni në lidhje me median duhet të garantojë lirinë e medias, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Pak ditë më parë kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se ndryshimet për ligjin e medias tashmë janë tërhequr nga propozuesit.

‘Kur propozuesi tërhiqet, e gjithë iniciativa ligjore bie. Dua t’ju rikonfirmoj se ne e kemi tërhequr ato ndryshime ligjore që janë bërë para tre vitesh.’- u shpreh Balla.

Paketa anti-shpifje u miratua nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2019, përmes kundërshtive dhe polemikave. Ligji i ndryshuar i jepte kompetencë AMA-s të ndëshkojë portalet me gjoba, duke parashikuar edhe mbylljen e tyre, por me vendim gjykate. Në janar të vitit 2020, ligji u rrëzua me dekret nga Presidenti. Sipas presidentit, ligji bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim, si dhe nuk është në harmoni me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në korrik të vitit 2020, Komisioni i Venecias dha një opinionin kritik për përmbajtjen e paketës. Komisioni i Venecias vendosi në pikëpyetje kompetencat që ky projektligj i jep Autoritet Audioviziv të Medias por edhe Komisionit të Ankesave. Përfaqësuesi për mediat i OSBE Harlem Desir është shprehu se asnjëherë nuk është arritur një dakordësim i plotë me qeverinë shqiptare për paketën anti-shpifje. Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe UNDP kërkuan rishikimin e variantit të tretë të projekt-ligjeve, ose rifillimin e punës nga e para për ligjet me ndikim mbi mediat. Bashkimi Europian është shprehur se paketa antishpifje nuk është në përputhje me standardet dhe kërkesat europiane për lirinë e medias dhe duhet bazuar në parimin e vet-rregullimit të mediave. Organizatat ndërkombëtare këmbëngulën që shumica socialiste të mos e miratojë paketën antishpifje, pa përfshirë rekomandimet e tyre, medias, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Pas opinionit të Venecias dhe shumë kritikeve, shumica në pushtet tha se do të ndryshonte nismën dhe se do të sillte në Kuvend një variant të ri.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 24/10/2022 15:20

    Liria e medias nuk eshte kur kjo shpif dhe sulmon nje ose disa persona , liria e medias eshte kur kjo thote vetem te verteten pa u sponsorizuar apo influencuar nga ndonje pale parti apo organizate dhe cdo shpifje apo trillim i pabaze duhet te denohet me ligj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?