Ekonomi

‘Paketa e maleve’ në Report TV, Haxhimali: Përfituesit mund të jenë të tjerë! Jo rregulla në interes të atyre që kanë paranë, të mos betonizohet natyra

14 Janar, 14:55| Përditesimi: 14 Janar, 15:57

  • Share

Paketa e maleve e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare (9 Janar) për ndihmën ndaj investitorëve dhe turizmit.

Por sa rezultative do jetë kjo iniciativë për investimet në tokat pa pronarë apo shtetërore që do t’i shiten biznesmenëve që do ndërtojnë në to apo në banesat e vjetra të të parëve, për emigrantë që do hedhin kursimet e tyre.

Sipas projektligjit të Qeverisë "Paketa e Maleve", 500 përfituesit e lejeve të para në rend kohor të kualifikuara shpërblehen me 10 vite pa taksa (investitorët përkatës), si dhe lehtësime të tjera financiare apo ligjore.

I ftuar për të folur sot (14 Janar) për këtë iniciativë të qeverisë, në “Sot, live në Shqipëri”, të gazetarit Nertil Agalliu, ka qenë Agron Haxhimali, nga Instituti për Bashki dhe ekspert i pushtetit vendor.

A është iniciativë që do i zhvillojë këto zona malore të braktisura?

“E vërtetë apo jo duhet parë, por iniciativa është e mirë. E parë kjo në kuadrin e braktisjes së këtyre zonave malore, për t’i kthyer frymëmarrjen atyre, për të çuar njeriun atje. Është një gjë shumë e mirë, do varet nga shumë rrethana. E parë në kontekst të përgjithshëm, braktisja e fshatit, ngelja pa frymëmarrje fare, iniciativa është e mirë në parim. E mira do varet nga shumë rrethana. Mënyra si do zbatohet, kontrollohet apo monitorohet, për të mos iu kthyer kontekstit historik siç ndodh me investitorët strategjikë, siç ka ndodhur këto vitet e fundit”, tha Haxhimali.

Por a rrezikojnë që lejet dhe projektet t’i marrin ata që kanë investimet apo paratë?

“Për hir të të vërtetës, se më marrin edhe në telefon e më thonë se o shumë mirë, mund të ndërtojë djali im, vajza ime, unë, mbesa ime etj., por duhet të jemi të sinqertë me shikuesit sepse na ofendohet inteligjenca natyralja dhe artificialja, nëse themi se përfitues do jetë ai fermeri atje, ai fshatari. Do të ishte shumë mirë, por ama ai nuk do përfitojë nga këto se s’do jetë në gjendje të investojë dhe investuesi me 1 euro, pra falas, do ta marri atë tokën në zonën malore, pra ai që ka paranë, ai që e gëzon atë lloj mundësie, pavarësisht nga rrethanat, do jenë gjithmonë ata që kanë portofolin, ekonominë, biznesin të mirë. Ama kur thuhet se do jetë përfitues edhe emigranti në Londër, shumë mirë, në Berlin shumë mirë, në Stokholm shumë mirë, Athinë etj., ama këtij objektivi i qëndroj, dhe mendoj se është një gjë shumë e mirë, ka investuar me djersën e ballit, ka rriskuar familjen, gruan, prindërit gjatë këtyre 30 viteve. Ka krijuar atje dhe ka grumbulluar para për t’i investuar në fshatin e tij, është i mirëpritur dhe ky është objektivi”, shprehet eksperti. 

A ka qenë mungesa e infrastrukturës një nga shkaqet që ka mbajtur larg investitorët në zonat malore apo të braktisura? Haxhimali e cilëson të drejtë konstatimin e gazetarit dhe shpjegon.

“Pse u turrën të gjithë drejt vijës bregdetare dhe lanë zonat malore. Sepse kishte lehtësira të tjera bregdeti dhe ishte më atraktiv në fakt dhe kishte një kthim të fitimit shumë të shpejtë. Në zonat malore është e vërtetë që cilido përfitues, emigranti apo ai tjetri, edhe pse unë mendoj se do jenë aktorë të tjerë, që kanë burimin e fitimit më të lehtë dhe potencialin ekonomik, sigurisht edhe për ata pengesë është mungesa e infrastrukturës, duhet ta pranojmë. Vetë mënyra se si e ka ofruar qeveria, me 1 euro, 10 vite pa taksa, procedura të lehta të marrjes së lejes së ndërtimit, tarifa dhe qasje fiskale shumë të lehtë, është për t’i tërhequr ato në kushtet e kësaj mundësie dhe mungese të infrastrukturës. Sepse po të ishim në kushte të tjera, me infrastrukturë të mirë, me rrugë, energji, ujë etj, do kishim atje konkurrencë nga investitorët, banorët, atëherë unë mendoj se nuk do jepej më falas. Por do e merrte ai me projektin më të mirë, që sillte fitime, i jep taksa buxhetit të bashkisë dhe qeverisë”, nënvizon Haxhimihali.

Madje ai vë në dukje edhe mungesën e investimeve dhe projekteve në ato zona, si shkak të braktisjes së fshatrave, duke e lidhur edhe me numrin e 500 personave investitorë që do kenë lehtësime, që e cilëson të konsiderueshëm si shifër.

“Ndaj këto janë për iniciativë për të çuar njerëzit atje. Sepse kemi rreth 3 mijë fshatra në 61 bashki ku pjesa më e madhe e tyre po braktisen. Edhe pse nuk i përfshin të gjithë, nëse zbatohet korrektësisht, dhe nëse janë 500 kërkesa, edhe kjo hap diskutim, pse janë 300 por janë 500, a është thirrje kjo për afrim dhe projekte serioze, për të mbajtur frymën gjallë dhe turizmin në këto zona”.

Ai sheh disa aspekte me skepticizëm dhe pret sqarimin e këtij projektligji gjatë diskutimeve në parlament, teksa thekson se iniciativa është shumë e mirë, por i duhen rregulla të forta, akte ligjore dhe monitorim, që të mos ketë dëmtime të natyrës dhe biodiversitetit.

“A po shkojnë të gjithë shkojnë drejt bujtinave, pse vetëm lokale dhe farmaci në çdo pallat, apo berberët, floktoret, ose bujtinat? Për hir të së vërtetës nuk sollën përmirësime, nuk jam kundër, por nuk sollën premisë të shpopullimit në zonat rurale. Jam skeptik edhe për këtë. Ose do mbjellim shalqinj, do ndërtojmë bujtina si strategji nuk sollën ndonjë përmirësim. Megjithatë të mos jemi skeptik edhe për këtë lloj skeme (iniciativa e paketës së maleve). Të shihen parametrat, komunitetet lokale, të jetë i qëndrueshëm dhe që i shërbejnë zonës, apo disa elementë që i shërbejnë rinisë, komunitetit etj. Por kjo do rregulla të forta. Të mos prishës biodiversitetin, peisazhin natyror, rregullat e urbanistikës. Qëllimi është ta kemi funksional me natyrën, jo ta betonizojmë natyrën, elementë që trajtohen me akte nënligjore dhe do e shikojmë në Parlament, sepse do sqarohet për teleshikuesit. Besoj se do ketë akte ligjore për ta bërë këtë iniciativë më të mirë dhe sa më funksionale dhe të qëndrueshme. Dhe jo në interes të grupeve që kanë paranë. Kujdes i madh edhe për çështjen e pronave, të mos jenë burim konfliktesh të pronësisë dhe çështja e dimensioni social”, përfundon ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?