Në vetëm 5 ditë, janë bërë 787 aplikime për Paketën e Maleve, nismë që synon të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një hartë, që tregon interesin e lartë të aplikuesve, të shtrirë në të gjithë vendin.
“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, ka shkruar kryeministri, ndërsa iu bën thirrje të gjithëve, veçanërisht emigrantëve që duan që të kthejnë objekte të tyre të vjetra në biznes mund të aplikojnë për leje.
"Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë", shton Rama.
Paketa e Maleve u miratua nga Kuvendi në janar të këtij viti dhe ka për qëllim që t'i kthejë zonat malore në zona atraktive për zhvillim, duke kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e jetës së banorëve vendas.
Një nga sfidat kryesore në këto zona është mungesa e certifikatave të pronësisë, e cila e vështirëson dhënien e lejeve për zhvillim apo ndërtim. Shumë toka në veri (por edhe në jug) administrohen nga individë apo familje që i zotërojnë tokat pa dokumentacion të rregullt.
Për këtë arsye, Paketa e Maleve parashikon një procedurë të thjeshtuar administrative: poseduesit jopronarë mund të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të kryer nga bashkia. Pasi të përfundojë ky proces, ata mund të marrin pronësinë me çmim simbolik (1 euro), me kushtin që të kenë një plan zhvillimi dhe të marrin lejen përkatëse.
Harta e publikuar nga kryeministri Rama
Komente

Aplikoni..aplikoni...se mesa di une nuk ka shanse njeri ne kete bote te marr as 1 pellembe toke ne veri
PërgjigjuKam aplikuar unë që në janar. Nuk punon njeri në bashkinë e tiranës. Zero përgjigje edhe ankimimit. Ku të përplasemi??
Përgjigju