Konfindustria i kërkon Kuvendit të vijojë konsultimin me gupet e interesit të draftit të paketës fiskale me grupet e interesit gjatë shqyrtimit në seancën plenare. Për Konfindustrinë diskutimet për këtë paketën fiskale kanë qenë më të shkurtrat në nivel historik dhe se ajo është ndërtuar duke synuar vetëm pjesën financiare të mbushjes në afatshkurtër të buxhetit dhe do të krijojë vështirësinë për prodhimin vendas.
"Konfindustria, duke marrë shkak nga problematikat e draftit të paketës fiskale 2022, kërkon nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë të bëjë të mundur vazhdimin e konsultimit me grupet e interesit gjatë shqyrtimit në seancë plenare. Këshillimet me grupet e interesit në përgatitjen e paketës fiskale 2022 kanë qenë nga më të shkurtrat në nivel historik. Konfindustria vlerëson, se paketa fiskale 2022 është ndërtuar, duke synuar vetëm pjesën financiare të mbushjes në afatshkurtër të buxhetit. Në mënyrë të papranueshme mungojnë krejtësisht vlerësimet e domosdoshme arsyetuese të pasojave ekonomike të zbatimit të saj në nivel kombëtar dhe kategorive të prekura të biznesit. Shënojmë, se Shqipëria nuk ka portofol të veçantë qeveritar për ekonominë, por e ka të përfshirë në konflikt të qartë interesi institucional brenda Ministrisë së Financave", thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas Konfindustrisë sektorët më të prekur nga kjo paketë fiskale do të jetë bujqësia, kryesisht nga serat industriale, prodhimi i qumështit dhe nënproduktet e tij, agroturizmi etj.
"Konfindustria vlerëson, se draft paketa fiskale 2022 në tërësi do të krijojë vështirësi shtesë për: - prodhimin vendor, - industritë, sidomos në kushtet e krizës energjetike, - uljen e fuqisë konkurruese të ekonomisë në tërheqjen e investimeve si dhe - krahësimisht prodhimeve dhe shërbimeve të ngjashme të importit. Përfundimet e analizës së Konfindustrisë, mbështetur në të dhënat e ardhura nga bizneset tregojnë, se sektorët ekonomikë më të prekur parashikohet të jenë; - sektori i prodhimeve bujqësore, kryesisht nga serat industriale, - prodhimi i qumështit dhe nënproduktet e tij, - agroturizmi, -kategori të gjera të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme/SME"
Në lidhje me paketën fiskale, Konfindustria vlerëson dy propozime "ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat dhe pagën, si dhe taksën shtesë të karburanteve për jahtet turistike".
Kujtojmë se ministrja e Financave në prezantimin e Paketës Fiskale ka nënvizuar se qëllimi kryesor është konsolidimi i financave publike, rritja e të hyrave të buxhetit dhe ulja graduale e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik në vijim.
Dy janë shtylla ku mbështeten këto objektiva: Rishikimi i politikave tatimore, duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat joefektive, si dhe përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor, duke pasur një sistem të lehtë për tu zbatuar nga tatimpaguesit.