Paketa e rezistencës sociale, Sharka në Report Tv: E vonuar, të stimulohen fermerët që mos të varemi nga importi! Rrapaj: Zgjidhja të ngrijë paketa fiskale

14 Mars 2022, 13:16| Përditesimi: 14 Mars 2022, 13:29

  • Share

Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj tha për Report Tv se për të mbështetur fermerët vendas në këtë kohë krize duhet të ngrijë paketa fiskale.

Ai propozoi se pika 3 e paketës ku thuhet se fermerët do të marrin naftën pa taksa, duhet të aplikohet edhe për imputet.

“Paketa është sociale, nuk është për fermerët drejtpërdrejt. 50% e fermerëve janë shtresë në nevojë dhe kanë realisht nevojë për paketë asistence. Është momenti që të mendohet tani për grupimin që prodhon për treg dhe për eksport. Duhet parë paketa fiskale duhet të ngrijë siç edhe kemi propozuar dhe kjo duhet të jetë masa kryesore për prodhuesit. Siç u veprua me naftën, duhet të veprohet dhe për imputet.”, u shpreh ai.

Në “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu ishte i ftuar edhe Kreu i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, i cili e cilësoi paketën si të vonuar, pasi qeveria duhet t’i kishte paraprirë krizës.

Sipas tij duhet të aktivizohen fermerët për të prodhuar ushqimin e nevojshëm në mënyrë që mos të varemi nga importi.

“Është e vonuar, duhet t’i kishte paraprirë krizës. Nafta për prodhimin bujqësor është shumë e rëndësishme. Bujqësia duhet të ishte parë në një kontekst tjetër, të ishin aktivizuar fermerët për të prodhuar ushqim, në mënyrë që mos të varemi nga importi. Qeveria shqiptare bëri të kundërtën, shtoi TVSH e imputeve e cila ishte një goditje pas rritjes së çmimeve. Sot fermerët shqiptarë i blejnë imputet me një çmim tre herë më të lartë. E vetmja masë që u mor ishte dyfishimi i fondit për naftën. Kjo mund të ndihmojë 30% e fermerëve, që është masa më ne nevojë. Mund të ngrijë paketa fiskale, mund të bëhet, kemi parë që buxheti ndryshon në momentin që ka iniciativë, ajo ka ndryshuar për arsye edhe më pak madhore. Ne punojmë 260 mijë ha tokë, shteti subvencionon 80. Nga këto masa mund të përfitojnë vetëm 30% e fermerëve.”, tha ai.

Rrapaj insistoi në ngrirjen e paketës fiskale, duke thënë se ajo do të ulte çmimin e plehrave kimike me 10%.

“Çdo ndihmë që japim është e mirëpritur. Nëse ngrin paketa fiskale, çmimi i plehrave kimike mund të ulet me 10%, që është një përqindje e mirë.”, tha Kreu i Këshillit të Agrobiznesit.

Sharka tha se fabrikat e grurit kanë rezerva vetëm për 1,5 muaj dhe jo për 3 siç është parashikuar nga ligji.

“Qeveria duhet të diskutojë me grupet e interesit dhe të stimulojë fermer të mbjellin drithëra. Ka shumë rrugë dhe mënyra, fillon nga buxheti. Të gjithë njerëzit që punojnë në sektorin e bujqësisë jashtë vendit janë të siguruar nga qeveritë e vendeve, sepse është me rrezik. Jemi me fat në këtë kohë krize, 40% e popullsisë merret me bujqësinë. Ai 25% që prodhojnë edhe për pjesën tjetër të vendit duhet të stimulohen.
Bizneset shqiptare nuk kanë rezerva për 3 muaj. Në një takim që ishim me fabrikat e grurit, thanë që kanë 1,5 rezerva dhe jo 3 siç është parashikuar nga ligji. Duhet të ishim përgatitur, e kishin një sinjal.”, u shpreh Kreu i Sindikatës së Fermerëve.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?