Paketa e rimëkëmbjes pas COVID-it, Shkodra: Fokus tek prodhimi, të parat thelluan papunësinë (VIDEO)

22 Maj 2020, 17:33| Përditesimi: 22 Maj 2020, 22:02

  • Share

Pas prezantimi të dy paketave të para për të mbështetur ekonominë dhe punonjësit e mbetur të papunë, sfida e radhës është paketa e tretë ose ajo e rimëkëmbjes.

Paketa e rimëkëmbjes së ekonomisë pas dëmit të shkaktuar nga pandemi është sfida e radhës, tashmë që pritet edhe hapja totale e ekonomisë dhe e vendit. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Arben Shkodra, thotë për Report TV, se duhet një paketë e konsultuar gjerësisht me biznesin dhe duhet të nxisë rritjen e prodhimtarisë dhe të ketë karakter rajonal.

“Së pari duhet të kemi një plan shumë të mirë porsa i përket ruajtjes së vendeve të punës dhe nxitjes për të krijuar vende të reja pune. Së dyti një masë shumë e shpejtë  është se duhet ta kemi të diversifikuar atë ndërhyrjen për mbështetjen me likuiditet, jo domosdoshmërish mund të jetë një kredi mund të jetë edhe një grant. Së treti, ka ardhur koha që të mendojmë për një reformë të mirë të lehtësimit procedural sepse ajo ne na garanton që të kemi më shumë likuiditet”, thotë Arben Shkodra.

Pas kapërcimit pjesërisht të situatës hapi i radhës është rishikimi i paketës fiskale.

“Në afatmesëm patjetër që duhet të rishikohet e gjithë paketa fiskale dhe tarifat shtetërore”, shton a.

Ndërkohë sa i takon paketave të mëparshme Shkodra shprehet se nxitën papunësinë, dhe se duhet të ishte subvencionuar paga punonjësve dhe jo të jepej 26 mijë lekwshi apo 40 mijë lekëshi.

“Paketa e parë ishte një masë e cila dëmtonte punësimin sepse në një farë forme e shtynte punëdhënësin për të hequr punonjësit nga puna sepse shteti do ti mbante me asistencë sociale. Do të kishte qenë shumë herë më mirë sikur të kishin dëgjuar propozimet tona kur ne i thoshim duhet të subvenciononin me një ‘X%’ të pagës së tyre. Ne iu kërkuam 80% mund të kishte qenë 70%, mund të kishte qenë 60% por gjithsesi do të kishim ruajtur vendet e punës”, shprehet sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Prodhues.

Nga ana tjetër Shkodra teksa thotë se garancia e parë sovrane ishte e pa konsultuar me biznesin dhe nuk dha rezultatin e pritshëm, shprehet pesimist edhe për garancinë e dytë që nuk mbulohet plotësisht nga shteti.

“Garancia e parë, ishte e paduhur por edhe e paaksesueshme. Kur ne pamë draftin e miratuar e kuptuam dhe ja thamë qeverisë që është e paimplementueshme, sepse nuk ka biznes që kur ka pasiguri në të ardhura të marri borxh. Garancia e dytë është akoma më e vështirë për tu aksesuar. Shumica e sipërmarrjeve e ka të pamundur edhe në kohë normale të kapërcejë filtrin e analizës së riskut së bankave, imagjinoni në kohë pandemie, kur ke më pak të ardhura, ke më pak qartësi se si do të jetë aktiviteti jot ekonomik, më pas  ai 40% kthehet në bllokim apo përbën precedentin për mosdhënie të kredisë”, sqaron Shkodra.

Por ka edhe një kategori biznesesh që duhet të ishin diferencuar dhe mbështetur më shumë, thotë Shkodra, dhe ato janë ato të dëmtuara nga tërmeti.

“Kompanive të cilat gjenden në trekëndëshin tiranë, Durrës dhe Lezhë që janë të prekura nga tërmeti patjetër që në masat që ka marrë qeveria duhet të ishte bërë një diferencim në trajtim edhe për këto kompani të cilat sot gjenden pa punë, pa punonjës, pa aktivitet dhe sot kanë nevojë për mbështetje likuiditeti”, sqaron eksperti.

Ndër të tjera Shkodra thotë se një situatë e tillë është një kambanë alarmi për politikën dhe jo vetëm qeverinë, në mënyrë që paketat e ardhshme të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike.

“Po ndjehet realisht jo vetëm ngadalësimi por rënia e lirë e ekonomisë, pasi ka një përshpejtim të indikatorëve dhe të gjithë elementëve ekonomik për të rënë, dhe unë besoj që ky do të jetë kambana e alarmit për politikë-bërësit jo vetëm për qeverinë” thotë ai.

Por pavarësisht krizës së shkaktuar, institucionet ndërkombëtare dhe vendase por edhe ekspertët thonë se kapërcimi i saj do të jetë i shpejtë.

“Jam i bindur që pandemi do e fus më shpejt ekonominë botërore në erën e tretë të zhvillimit ekonomik, e cila  bazohet në revolucionin e 4 industrial ku elementët kryesor janë inteligjenca artificiale, realiteti i shytuar, robotizimi, digjitalizimi, rilidhja 5G dhe me radhë, por baza e çdo gjëje është riaftësimi”, shton ndër të tjera sekretari Shkodra.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?