Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paraqitur në grupet e interesit propozimet e saj për të ndryshuar disa nga formulat aktuale të taksimit, në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Këto propozime, të cilat kërkojnë ndryshime në disa ligje që kanë lidhje me sistemin fiskal, duhet të kalojnë më pas në Këshillin e Ministrave e më në fund në shqyrtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Pagat
Deri tani, ishte folur për një draft lidhur me pagat më të larta, që kishte të bënte me uljen e përqindjes së tatimit mbi të ardhurat personale nga 23 për qind, që është aktualisht, në një shifër më të ulët – mendohej 18 për qind. Kjo bëhet për atë kategori pagash, që kalojnë qoftë edhe me një lek të vetëm kuotën e 130.000 lekëve.
Ndërkohë, në draftin që u është paraqitur shoqatave të ndryshme të biznesit vihet re një ndryshim tjetër: nuk ulet përqindja e taksimit, por do të rritet më tej limiti i kategorisë që pagave, që konsiderohen si pagat më të larta. Kështu, nga 130.000 lekë, ky kufi do të kalonte në 150.000 lekë, duke pakësuar numrin e atyre që taksohen me normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale – 23 për qind.
Sipas Financave, përfitues do të jenë 15.400 persona.
Fitimet
Nga ana tjetër, gjithnjë në fushën e taksimit të të ardhurave, parashikohen edhe dy ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me dividentin dhe me tatim fitimin e jo-rezidentëve. Dividenti, apo fitimi që gjeneron pjesëmarrja në ortakëri në një shoqëri tregtare, aktualisht taksohet me normën 15 për qind, ndërkohë që Financat kanë hedhur për diskutim nivele të tjera, si 8 për qind, apo 10 për ëind, gjithnjë më të ulta se niveli aktual. Në rast se miratohet kuota e parë, atëhere kjo praktikisht gati e pergjysmon të ardhurën që shteti siguron nga një gjë e tillë. Ndërkohë, për të vendosur shenjën e barazisë midis të huajve dhe shqiptarëve edhe në fushën e transaksioneve të shitblerjeve të aksioneve apo licensave, mendohet që të vendoset tatimi mbi të ardhurat personale edhe në rastet kur transaksionet i kryejnë persona, që nuk janë rezidentë në vendin tonë. Kjo kërkon një ndryshim në ligjin tjetër, atë të procedurave tatimore.
TVSH
Një ndryshim në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ka si synim të lehtësojë ato pak kompani shqiptare që prodhojnë materiale farmaceutike. Konkretisht, Paketa Fiskale parashikon që lëndët e para që importojnë këto ndërmarrje t’i përjashtojë nga detyrimi i pagesës së TVSH-së. Por këto lëndë do të përcaktohen nga qeveria, ashtu sikurse Ekzekutivi do të hartojë një listë me pajisje që kanë të bëjnë me punimet bujqësore, autobusë elektrikë, që përjashtohen nga TVSH-ja, ose lehtësohen, njësoj si edhe kompani nënkontraktore që punojnë me fasonet, eksportues të këpucëve dhe veshmbathjeve.
Akcizat
Sa u përket akcizave, cigaret dhe duhani nuk “shpëtojnë” dot vitin e ardhshëm nga rritja e çmimit, që kishin shmangur për këtë vit. Ky është një angazhim që ka lidhje me aderimin e Shqipërisë në BE, e cila ka një program frenues shumëvjeçar për duhanin duke rritur gradualisht çmimet. Ndërkohë, parashikohet të hiqet sërish akciza për fishekzjarrët, llampat dhe bateritë.
Renta
Një ndihmë për kompanitë e përpunimit të kromit mund të konsiderohet propozimi tjetër, që ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare, që do të ngarkonte eksportuesit e kromit me një rentë 9%, nga 6% që është aktualisht. Kjo do të nxitë minierat që ta shesin në vend kromin e nxjerrë.
Po në këtë ligj, Paketa e re parashikon zgjerimin e taksimit të plastikës të të gjitha llojeve dhe jo vetëm për ambalazhet me këtë material.
Bravo, oligarket e qeverise qe moren koncesionet do paguajne tani vetem 8% takse dividendi. Shtresa e larte e shoqerise qe kane dhe deklarojne paga te larta, le te paguajne deri ne 23% tatim te ardhurash nga paga
PërgjigjuPD DUHET TE KTHEHET NE PARLAMENT PER VOTIMIN E KESAJ PAKETE FISKALE DHE ME NJE “ JO “ TE MADHE TE NGERJNE KARTONAT NE PARLAMENT KJO DO ISHTE ME E MIRE PER POPULLIN
PërgjigjuShteti ne sherbim te Zamir Manes
Përgjigju