Foto ilustruese

Paketa fiskale 2019/ Ndryshimi i pronësisë, gjobë 15% të vlerës kush nuk deklaron në kohë

4 Nëntor 2018, 08:07| Përditesimi: 4 Nëntor 2018, 08:14

  • Share

Ndër amendimet, që mendohet të bëhen në legjislacionin fiskal dhe që duhet të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bën pjesë edhe një penalitet, i cili lidhet me mosdeklarimin në kohë të kalimit të pronësisë. Gjoba për këtë mosveprim është mjaft “e kripur”.

Tatimet mbi të Ardhurat

Tatimi mbi të ardhurat është një nga burimet e rëndësishme të të ardhurave në arkën e shtetit. Ndër to përfshihet edhe taksimi i atyre të ardhurave, që gjenerohen nga kalimi i pronësisë direkte apo indirekte mbi kapitalin aksionar, kuotave, ose të drejtave të votimit të një personi juridik.

Në Paketën Fiskale 2019 qeveria ka përgatitur një ndryshim ligjor në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, duke shtuar një nen të ri, sipas të cilit, nëse, gjatë një periudhe tatimore pronësia direkte dhe/ose indirekte e kapitalit aksionar, kuotave, ose e të drejtave të votimit të një personi juridik ndryshon me më shumë se 20% në vlerë ose numër aksionesh, kuotash, personi juridik trajtohet si të jetë duke shitur një pjesë proporcionale të të gjitha pasurive të tij menjëherë përpara ndryshimit. Personi juridik trajtohet si përfitues i të ardhurave nga shitja, e barabartë kjo me pjesën proporcionale të vlerës së tregut të aktivit në atë kohë dhe riblerës i aktivit për të njëjtën vlerë.

Vetë subjekti juridik (shoqëria aksionare) nuk do të paguajë tatimfitimi për ndonjë ndryshim pronësie të aksioneve ose interesave të ngjashme që shkaktojnë ndryshimin. Shoqëria në këtë rast ka vetëm detyrimin të njoftojë autoritetet tatimore me detajet e ndryshimit brenda 45 ditëve nga koha kur ka ndodhur ndryshimi.

Personi juridik duhet të njoftojë administratën tatimore për një ndryshim pronësie të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 10% ose më shumë të kapitalit të saj ose të të drejtave të votës.

Procedurat tatimore

Dënimet për mosnjoftimin e ndryshimeve në lidhje me ndryshimin e pronësisë parashikohet të jenë si më poshtë.

Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, sipas kërkesave të amendimit të ri, të përmendur më lart, ai do të dënohet me 15 për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie, kur nuk respektohet detyrimi për të njoftuar autoritetet tatimore me detajet e ndryshimit brenda 45 ditëve nga koha kur ka ndodhur ndryshimi.

Ndërkohë, gjoba do të jetë 5% e vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia, kur nuk zbatohet detyrimi për të njoftuar administratën tatimore për një ndryshim pronësie të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 10% ose më shumë të kapitalit të shoqërisë ose të të drejtave të votës.

Dënimi nuk do të zbatohet kur vërtetohet që personi nuk ishte në dijeni të ndryshimit të pronësisë apo nuk ka të dhëna, prova apo fakte që të besohet se personi duhet të ishte në dijeni, thuhet në Projektligjin për amendimin e Procedurave Tatimore.

Tatimi

Tatimi mbi të ardhurat që merret direkt në burim mendohet të ndryshojë si më poshtë. Të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore e vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë, sipas shkallëve të mëposhtme: 15 për qind për: interesat dhe pagesat e ngjashme me to; pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale; pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit; pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues; pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to; pagesat për qiratë pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.

Ndërkohë, ky tatim reduktohet në 8 për qind për dividendët dhe ndarjet e fitimit.

Të gjitha këto ndryshime janë tanimë në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të diskutohen para se të dalin në seancë plenare.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?