Paketa Fiskale 2024/ Kufizohet rritja e akcizës për karburantet, produktet energjetike e pijet alkoolike, shkak inflacioni i lartë

27 Tetor 2023, 20:29| Përditesimi: 27 Tetor 2023, 22:44

  • Share

Paketa fiskale për vitin 2024 ka prekur ligjin për akcizat, ku do të ndryshohet rregulli i vendosur në vitin 2021, ku akciza për produktet e hidrokarbureve, produktet alkoolike, energjetike dhe kafen do të rritej në bazë të inflacionit të dy viteve të mbledhura bashkë (pra duke mbledhur inflacionin 2022-2023).

Duke qenë se inflacioni ka rezultuar shumë i lartë këto dy vite, qeveria ka vendosur të caktojë një tavan për të mos lejuar rritje të çmimeve për këto produkte.  

Nga viti i ardhshëm akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike do rritet me vetëm 1.5%.

“Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite”, u shpreh Ministri i Financave Ervin Mete pas miratimit të paketës në qeveri.   
Ndërsa sa i takon akcizës për produktet e nënproduktet e duhanit rritja e akcizës do të vazhdojë në mënyrë progresive siç ka qenë e parashikuar. Vitin që vjen akciza për duhanit do të jetë 7250 lekë për 1000 fije, në 1 janar 2024, ndërsa këtë vit është 7000 lekë/1000 fije.

Pjesë e paketës së re fiskale është edhe ndryshimi i ligjit për procedurat tatimore që ka në fokus shkëmbimin e informacionit me vendet e tjera për kompanitë e huaja që kanë filiale në Shqipëri. Këto ndryshime mund të sigurohet informacion në kohë reale, si dhe mund të shërbejë edhe për të parandaluar evazionin apo pastrimin e parave

“Në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri”, tha Mete. 

Ndryshimi tjetër është për të eliminuar tatimin e dyfishtë. 

“Sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër miradministrim në këtë fushë”, pohon Mete. 

Nga ana tjetër qeveria ka vendosur të mos prekë TVSH-në për sektorin e arsimit dhe të shërbimeve financiare siç ishte paralajmëruar që do të ndodhte prej vitit të ardhshëm.

Ora 18:20
Qeveria miraton paketën fiskale 2024, Mete: Nuk preket TVSH në sektorin e arsimit dhe shërbimet financiare

 

Qeveria ka miratuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2024. Në një dalje për mediat, ministri i Ekonomisë Ervin Mete ka bërë me dije se nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare. Sa i takon akcizës, Mete tha se nisur edhe nga niveli i inflacionit në këto dy vite, është vendosur një tavan prej 1.5% indeksim çdo dy vite.

"Sa i përket paketës fiskale, edhe për shkak të interesit nga ana juaj, ju informoj se nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare dhe këtë e kemi diskutuar edhe me FMN-në, me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me fokus kryesisht përmirësimin e administrimit fiskal. Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite.  

Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri. Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë. Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare, ndaj do të kemi kohë dhe për të adresuar pyetjet që mund të lindin, si nga ana e mediave, por edhe nga ana e deputetëve, qytetarëve apo grupeve të interesit", tha Mete. 

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?