Ashtu siç e kishte paralajmëruar deputeti i PS-së Erion Braçe ka prezantuar një sërë amendamentesh në Kuvend, që sipas tij duhet të përfshihen në paketën e re fiskale. Duke thënë se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti, Braçe ka kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që ju kemi bërë me lejimin e kazinove.
"Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t'i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës. Kjo masë u mor vitet e shkuara për të bërë thithjen e investimeve, por unë mendoj që mjafton një favor, ajo që ne i kemi dhënë të drejtën për të organizuar lojëra fati dhe kazino në ambiente e tyre”, tha Braçe.
Propozimi tjetër është për të hequr favorin e bërë në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet. Braçe tha se duke vendosur TVSH për furnizimin me tokë dhe për shitjen e parë të ndërtesës ndalohet edhe zaptimi.
“Kam propozuar heqjen e përjashtimit për furnizimin me tokë për qëllime ndërtimi dhe me ndërtesë për të gjitha zonat rezidenciale të ngritura jashtë qyteteve dhe në vijën bregdetare. Sipërmarrësve që operojnë në këtë fushë i është dhënë favori i dhënies së statusit të investitorit strategjik në këto zona, i është bërë dhe favori i dytë që ka kosto për turizmin e po zë territore të mëdha të vijës bregdetare dhe për pjesën më të madhe të muajve është një shtëpi e blerë nga at që kanë pasuri e para. Por toka është e fundme, për të frenuar zaptimin e tokës për të tilla qëllime, natyrisht ja vlen që ne të taksojmë me TVSH qoftë furnizimin me tokë edhe atë me ndërtesë në shitje të parë”, tha ai.
Siç bëri në komisionin e Ekonomisë Braçe ka lexuar relacionin e projektligjit për TVSH në vitin 2014, kur qeveria propozoi barazimin e TVSH për fermerët në shitje dhe blerje 20/20%, kur qeveria thoshte se do të ndihmonte sektorin. Në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së tha se heqja e kompensimit 6% të TVSH-së dhe taksimi i inputeve do të shkaktoj humbje të mëdha për bujqit.
"Më e rëndësishmja është skema e TVSH për bujqit, fermerët. Qeveria e bën zero kompensimin e fermerit. Problemi është te bujku dhe grumbulluesi, eksportuesi me zero në TVSH është i përjashtuar nga këto probleme. Me 20% TVSH në shitje, humbja për grumbulluesin është e madhe", shtoi Braçe.
Sipas tij duhen vetëm 2 miliardë lekë për të rimbursuar direkt fermerët për TVSH-në.
“TVSH e inputeve bujqësore, nëse do kishim një treg që funksionon normalisht, çmimet i cakton tregu jo taksa. Por ne në tregun e inputeve bujqësore nuk kemi rregulla, kemi kartelë të 10 kompanive që përcaktojnë çmimet dhe nëse ne vendosim TVSH 10%, do transmetohet te kosto me të cilën bujku do të blejë çdo gjë. Na duhet të çlirojmë tregun nga karteli i këtyre 10 kompanive dhe të shikojmë normën e taksave që mos e rrisim barrën tani pasi barra e taksës mbi bujkun do rrisë kostot e bujkut dhe do ulë fitimin e tij”, tha ish zëvendëskryeministri.
Pika tjetër ku u ndal Braçe ishte taksimi i pijeve alkoolike, dhe heqja e favorizimeve për sektorin e birrës, pasi sipas tij favorizimet nuk mund të jenë të përjetshme. Po ashtu ai bëri thirrje të taksohet vaji i palmës dhe të mos përjashtohen fabrikat nga taksimi i qumështit pluhur.
“Te ligji për taksën kombëtare, përjashtimi që i është bërë në këtë ligj për fabrikat që përdorim qumështin pluhur, e bën nul qëllimin e mirë të këtij ligji. Sot nuk ka fabrikë në Shqipëri të shkruaj që prodhon qumësht kos me qumësht pluhur. Tregu është i deformuar dhe jo qumësht pluhur, po ai që po përdoret është qumështi i hirrës. Kam propozuar që përjashtimi për fabrikat e mëdha të përpunimit të hiqet dhe t'i nënshtrohen taksës. Siç përdoret qumështi pluhur, përdoret edhe vaji i palmës, kam propozuar një taksë 1500 lekë për litër edhe për vajin e palmës që të trajtohen njësoj dhe të bëhen të padobishëm ekonomikisht për t'u përdorur apo për t'u përzier në produktet e bulmetit”, tha Braçe.
Lajmi kryesor:
Me 77 vota pro miratohet buxheti 2022! PS voton kundër amendamenteve të Erion Braçes për paketën fiskale, vetëm 8 deputetë pro
//ReportTv.al