Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë në bashkëpunim edhe me disa shoqata biznesi siç është ajo e ndërtuesve, Shoqata e Agrobiznesit, Turizmit, Bimëve Mjekësore, Shoqata e Industrisë Ushqimore dhe ajo e përpunimit të qumështit, kërkojnë nga qeveria që të rishikohen tatimet mbi konsumin dhe tarifat doganore.
Konkretisht, në sektorin e bujqësisë kërkohet ulje e TVSH-së për Industrinë Prodhuese agroushqimore në 5-7%,nga 20 që është aktualisht; të rivendoset shkalla e kompensimit të fermerëve në 20 %; kreditim me 75 % të TVSH për shitjen e produktit bujqësor vendas nga subjektet që nuk janë objekt i TVSH; si dhe përjashtim nga TVSH për investimet në teknologji të gjelbërta.
Sai takon sektorit të ndërtimit, kërkohet të rishikohet taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila sot llogaritet 4-8% ndaj çmimit të shitjes, duke sugjeruar që kjo taksë të llogaritet sipas vlerës së preventivit të punimeve dhe jo çmimi final të shitjes për m2. Gjithashtu kërkohet të rishikohet niveli i tarifës së depozitimit të dherave, me argumentin që është një tarifë e lartë dhe ndikon në kostot e ndërtimit.
Biznesi kërkon gjithashtu rimbursimin automatik të TVSH-së, rimbursimin e taksave doganore, taksave mjedisore dhe akcizave të paguara për lëndë të para dhe pjesë të produkteve që eksportohen. Përjashtimi i akcizës për lëndën djegëse që përdoret në procesin e prodhimit, përjashtim prej taksave doganore për të gjitha lëndët e para që shërbejnë për prodhim të produkteve të gatshme.
Lidhur me politikën monetare, kërkohet ndalimi i transaksioneve ekonomike në monedhë të huaj përmes vendosjes së penaliteteve dhe marrjen e masave për uljen e parasë fizike në qarkullim.
Po ashtu, kërkohen lehtësi dhe më pak burokraci në zbatimin e legjislacionit në fuqi nga ana e bizneseve.
Komente
