Ministrja Denaj për Report Tv: Deri tani rreth 50 mijë të papunë! SKEMA si qeveria mendon ta frenojë këtë numër (VIDEO)

14 Prill 2020, 12:30| Përditesimi: 14 Prill 2020, 16:46

  • Share

TIRANË - Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi në një intervistë në Report TV me gazetaren Aida Tancica se numri i personave që kanë mbetur të papunë nga pandemia COVID-19 në Shqipëri shkon deri në 50 mijë, por mund të rritet edhe më shumë. Kjo pasi siç ministrja tha, bizneset mund të reduktojnë numrin e punonjësve edhe pasi të rifillojnë aktivitetin kur situata të ketë ndryshuar për mirë.

Denaj tha se është duke u parë mundësia, në bashkëpunim me zyrat e punës, e trajnimit të personave të mbetur të papunë, në mënyrë që të përshtaten për t'u punësuar në biznese që kanë nevojë për fuqi punëtore, por që mund të jenë të një tjetër natyre.

Lidhur me çështjen e ndryshimit apo pezullimit të kontratave të ndryshme koncesionare, e pyetur konkretisht mbi kontratën e skanimit në dogana, Ministrja Anila Denaj tha se të gjithë hapat që do të ndërmerren vijnë si rezultat i negocimit mes palëve, siç ndodhi në rastin e kontratës koncesionare të Check-Up.

Ministrja tha se rreth 176 mijë persona do të përfitojnë përmes paketës së dytë financiare një pagesë prej 40 mijë lekësh, pagesë që do të bëhet e mundur duke nisur nga data 20 prill. Nëse paketa e parë financiare përfshinte vetëm biznesin e vogël të mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja Denaj sqaroi se paketa e dytë shtrihet edhe për biznesin e vogël që nuk ka qenë i mbyllur, por është prekur për shkak të masave të ndërmarra. Po ashtu, kjo paketë shtrihet edhe për biznesin e madh.

Sa i përket huave që qeveria shqiptare do të marrë nga FMN apo BE, Ministrja bëri me dije se këto fonde vijnë në mbështetje të deficitit buxhetor, i cili është 2-fishuar për shkak të masave që janë marrë për përballimin e situatës së COVID-19, pasi qeveria ka rishikuar buxhetin e shtetit për të financuar masat e ndërmarra deri më tani.

Ora 13:47
Denaj: Po negociojmë për ndryshimin e kontratës së koncensionit të skanimit

Qeveria po negocion për ndryshim  të kontratës së skanimit në dogana. Ministrja Anila Denaj tha për Report Tv, se siç janë negociuar kontratat e mëparshme koncensionare, shembulli i Check-Up, do të procedohet edhe më këtë kontratë.

"Ne po bëjmë çdo tratativë për të negociuar me të gjithë palët, me të gjithë koncesionarët që në mënyrë të vazhdueshme e kemi parë negocimin si palë, për çështje çmimesh, frekuence dhe përdorimi. Nuk bën përjashtim as kjo kontratë, është pjesë e negocimit që mos të ekspozohemi në kontrata të mëtejshme. Është një situatë ku të gjithë duhet të reflektojmë se di duhet të mbështesim, por edhe aty ku nuk ka një qarkullim të njëjtë si më parë, të kenë mundësinë të jenë të hapur për të negociuar, asnjëherë nuk do thyenim rregullat juridike por është thirrje për koncensionarët ku kanë hapësira, të negociojnë, për ndihmë të biznesit jo të qeverisë", tha Denaj.

Nëse situata me pandeminë rëndohet, ministrja tha se do të ngrihen edhe tendera të tjerë që nuk janë të domosdoshme dhe mund të riskedulohen në rast se nuk janë kyç për situatën dhe jetën normale.

Por duhet të respektohen edhe marrëdhëniet kontraktore, pasi ka kosto për shtyrje apo bllokimin e tyre. Kështu, psh “check up” për 6 muaj nuk do të paguhet pasi është pezulluar, por kontrata do të shtyhet 6 muaj.

Ora 13:22
Denaj: Papunësia do të rritet, po punojmë që të minimizojmë efekte negative (VIDEO)

Ministra Denaj u shpreh se kjo krizë mund t'i ketë efekte negative në biznes edhe vitin tjetër dhe s papunësia mund të rritet deri në fund të viti, por po merren të gjitha masat e mundshëm që të ketë sa më pak efekte negative

"Pagesa është vetëm një herë dhe do të jepet brenda 20 prillit për një muaj. Aktualisht kemi duke dhënë pagesën e luftës, ndërsa për ata që përfshihen në listën e 176 mijë persona ajo është vetëm një herë dhe një pagesë që merret në mënyrë direkte. Nuk është pagë po pagë minimale, por pagesë që i jepet për të lehtësuar gjendjen. Po diskutohet si të trajtojmë papunësinë dhe me shumë mundësi pritet që të rritet deri në fund të viti, nuk mund të them shifra sa. Kjo krizë do të ketë pasoja për biznesin dhe në vitin që vjen por po mundohemi që të marrim masa që të kemi sa më pak kosto." tha Denaj

Ora 13:11
Denaj për Report Tv: Rreth 50 mijë të papunë (Numri mund të rritet)...Skema si do zgjidhet ngërçi (VIDEO)

Ministrja Anila Denaj në intervistën e saj për Report Tv tha se numri i personave që kanë mbetur të papunë nga pandemia COVID-19 në Shqipëri shkon deri në 50 mijë, por mund të rritet edhe më shumë. Kjo pasi siç ministrja tha, bizneset mund të reduktojnë numrin e punonjësve edhe pasi të rifillojnë aktivitetin kur situata të ketë ndryshuar për mirë.

"Është ndërmarrë një vëzhgim i kujdesshëm i gjithë aktiviteteve që duhet gradualisht të hapen, që deri në fund të majit, duke monitoruar situatën në aspektin e shëndetësisë, do të mundësojë që edhe aktivitetet e bizneset deri në fund të majit mund të jenë hapur disa. Nëse kjo situatë shkon drejt këtij ekuilbri edhe efekti do të jetë më i reduktuar. Edhe sikur bizneset të hapen nuk mund të themi që nuk do kenë nevojë të reduktojnë numrin e punonjësve.

Ne sot flasim për një numër të papunësh që shkon në 50 mijë të papunë, që mund të rritet në vijim, e mund të shkojë edhe më i lartë", tha ministrja. 

Ministrja Denaj tha se me masat e ndërmarra nëpërmjet paketave financiare, qeveria synon që të reduktojë sa më shumë të jetë e mundur që ky numër të rritet më tej.

Ajo tha se do të shihet mundësia që të ofrohen kurse trajnimi për personat e mbetur të papunë, në mënyrë që të përshtaten për t'u punësuar në biznese që kanë nevojë për fuqi punëtore, por që kanë tjetër karakter pune nga çfarë kishin bërë më parë.

"Ne po punojmë me personat që po regjistrohen tek zyrat e punës, për të parë çfarë profilesh kanë këta persona, çfarë trajnimesh mund të japin, që të ketë një transformimi, që ata me një kurs të përshtatshëm të jenë të gatshëm për një industri tjetër që gjatë këtij viti të kenë nevojë për fuqi punëtore", tha ministrja Denaj.

Ora 13:01
Denaj: Huatë e FMN apo BE mbështesin deficitin e buxhetit shtetëror, nuk përkthen në mënyrë direkte për shtresat në nevojë (VIDEO)

Paratë e marra hua nga FMN, BE dhe tregu i brendshëm, ministrja Denaj tha se ato nuk shkojnë direkt për shtresat në nevojë, por vijnë për të mbuluar dhe realizuar deficitin buxhetor që është 2-fishuar për shkak të masave që janë marrë për përballimin e situatës së COVID-19. Denaj theksoi se këto para po jepen, por përmes masave dhe paketave financiare që ka ndërmarrë qeveria dhe këto huan të marrë do të mbulojnë dhe balancojë  pikërisht këtë deficit të krijuar prej këtyre masave.

Si do të përdoren paratë e marra nga FMN apo BE?

Më duhet të sqaroj se çdo mbështetje me hua nga FMN, BE dhe tregu i brendshëm është një mbështetje për të realizuar deficitin e buxhetit shtetëror. Ne kishim një deficit në nivelin A dhe sot e kemi dyfishuar ketë me marrjen e masave. Ky 2-fishim i deficiti do të vijojë të rritet dhe do të ketë nevojë për mbështetje financiare dhe kjo nuk përkthehet se ne po marrim kredi dhe pse kjo kredi nuk po shkon në shtresat në nevojë. Pasi kjo po bëhet përmes masave që po merr shteti aktualisht. Pra këto para shkojnë për të balancuar diferencën e deficitit të buxhetit dhe masave që po merren aktualisht.  Vetëm paratë që janë dhënë në mbështetje të luftës ndaj COVID-19 dhe pajisjeve mjekësore do të shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe këto fonde janë ende duke u vlerësuar.

Ora 13:01
A do preken rezervat e shtetit? Denaj: Nëse situata zgjat pas majit, do kemi skenarin e tretë (VIDEO)

Ministrja Denaj u shpreh se nëse situata me COVID-19 zgjata pas majit dhe bizneset nuk hapen atëherë do të shohim mundësinë një skenari të tretë negativ, por që aktualisht nuk ka lindur nevoja e prekjes së rezervave të shteti.

A do preken rezervat e shtetit?

Nuk kemi një skenar të mundshëm me kushtet aktuale, nëse situata e paqëndrueshmërisë që vjen nga mbyllja e bizneseve dhe do të jetë më i gjatë se sa maji, atëherë do të kemi skenarin e tretë negativ. Por me skenarin e dytë nuk e shohim ende si opsion prekjen e rezervës buxhetor, pasi kemi eurobondin, kemi huatë dhe hapa të tjera për të ndjekur para se të shkojmë te prekja e buxhetit. Pra duhet të shohim hap pas hapi se i do të shkojë gjendja.

Ora 12:52
Garancia sovrane, Denaj: Për klientët e 'këqij' vendos banka! Vlera e kredisë mund të jetë dyfish më e madhe nëse ekuilibrohet risku (VIDEO)

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj tha se është politikë e brendshme e bankave të mos japin kredi tek biznese me historik problematik. Por në varësi të sjelljes së klientit, pra një klient pa probleme, bankat mund të shkojnë në shuma edhe përtej shumës që shteti mbulon nga buxheti duke dalë garant. 

"Fondi i garancisë i cili sot me firmosjen që kemi bërë me bankat është një fond i përcaktuar deri në çfarë masash do të përdoret. Një biznes do të marrë 3 muaj për pagat, deri në maksimumin e 150 mijë lekëve. Aty ku pagesa e individëve me nevoja imediate është e adresuar. Çdo bankë ka politikat e saj të lëshimit të kredidhënies, kur një produkt financiar mbështetet me garanci sovrane, banka, që nuk ka nevojë të kërkojë më garanci, mbështet garancinë sovrane si koletaralin e saj që i jep mundësi të japë kredinë. Nëse banka gjykon që një klient është i keq në procedura përmbarimore, nuk ka për të përfituar, dhe kjo është politikë e brendshme e bankës.

Kemi marrë informacion nga sistemi bankar, përpara se të vendosim shumën. 15 miliardë lekë është shuma e paketës së dytë, dhe mund të rritet në varësi të shumës qe vendosin bankat për të ekuilibruar riskun, mund të shkojnë edhe dy fish nëse bankat shkojnë në këtë modalitet risku. Por deri në 15 miliardë është garancia sovrane. Një klient që në vite ka treguar mungesë vullneti është politikë e bankës, përtej kësaj politike individuale, a një numër të madh biznesesh që janë të rregullt", tha Denaj.

Ora 12:51
Ministrja Denaj intervistë për Report Tv: Kategoritë që përfitojnë nga paketa e dytë financiare (VIDEO)

Ministre e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, në një intervistë për Report Tv me gazetaren Aida Tancica tha se në paketën e dytë financiare përfitojnë 176 mijë persona të cilët do të marrin vetëm një pagesë prej 40 mijë lekësh. Ata do ta marrin në dorë këtë pagesë duke filluar nga data 20 prill.

Tek kjo paketë e dytë përfshihet për herë të parë biznesi i madh, por edhe biznesi i vogël me deri në 14 milionë lekë xhiro, që lejohej të qëndronte hapur, por që është prekur në fitim për shkak të qarkullimit më të vogël të qytetarëve dhe masave kufizuese.

"Paketa e dytë është një zgjerim i paketës së parë, me të njëjtin fokus tek individët që përfitojnë në këtë paketë të dytë, një shumë prej 40 mijë lekësh e klasifikuar jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për biznesin e madh, duke futur në analizë gjithë bizneset që kanë pasur një afektim, dhe jo vetëm janë mbyllur. Numri total është 176 mijë persona përfitues, i ndarë në disa kategori. Janë gati 100 mijë persona që do të marrin 40 mijë lekë individualisht. Në paketën e parë ishte bizneset e vogla me deri 14 milionë lekë xhiro, vetëm për ato të mbyllurat me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë. Tek paketa e dytë futen ata që kanë qenë hapur por janë prekur se nuk kanë pasur klientelë. Nëse tek pjesa e parë ka qenë paga e luftë, tek kjo pjesë e dytë e zgjeruar e paketës, është menduar një shumë 40 mijë që do paguhet brenda prillit dhe vetëm një herë", tha Denaj.

Nga biznesi i madh, janë rreth 66 mijë persona që përfitojnë të ndarë në dy kategori.

"Janë 40 mijë persona që do të marrin 40 mijë lekë, që kanë qenë në biznese jo të mbyllura po të afektuara.  Janë 6 mijë persona që vijnë nga bzinese të mbyllura me xhiro mbi 14 milionë lekë. Dhe janë 20 mijë persona të cilët nuk janë sot tek pjesa e personave që janë të papunë, por janë tek biznese që janë të afektuara dhe janë biznes i madh. Ky grup prej gati 66 mijë persona sh i takon numrit të personave që janë të punësuar në biznesin e madh", tha Denaj.

Ndërkohë, është dhe një kategori  me 10 mijë punonjës të turizmit të cilët janë të punësuar.

Ministrja tha se "edhe në skemën e dytë ka mbështetje pasi nuk është vetëm skema e parë q  ofrohet është edhe skema e garancisë që është për likuiditet".

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 14/04/2020 18:21

    Papunesia eshte nje kurdisje globale qe të tërhiqen popujt prej hundesh. Psh, kur ti je pa pune vete te kerkosh pune me koken ulur si gjynafqar dhe keshtu të shtypin. Por ama po arrite në kohe të besh ekonomi behesh me i pavarur. Pra ky planet ka aq shumë mundesi sa njerezit të punojne të gjithë . Kjo nuk u intereson funderrinave qe shtypin popujt!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?