Paketat financiare, Denaj: Përfituan 230 mijë qytetarë! Ende nuk kanë marrë pagën 40 mijë lekë mbi 43 mijë përfitues

14 Qershor 2020, 11:13| Përditesimi: 14 Qershor 2020, 14:35

  • Share

Rreth 230 mijë qytetarë kanë përfituar nga ndihmat financiare të qeverisë. Ministrja e Financave ka publikuar të dhënat, paraprake se sa është numri i përfituesve deri më tani. Sipas shifrave, kanë përfituar pagën e luftës prej 26 mijë lekësh 64 mijë e 904 punonjës, ndërkohë që është në përfundim lëvrimi i këstit të tretë për këtë kategori. Në total deri më tani janë dhënë mbi 5 miliardë lekë për pagën e luftës 26 mijë lekë, nga 6.5 miliardë lekë që u parashikua në fillim për pagat. Ndërkohë sa i takon paketës së dytë, deri më tani kanë marrë bonusin prej 40 mijë lekësh 166 mijë e 571 punonjës dhe ish-punonjës. Referuar të dhënave të bëra publike edhe më herët rezulton se janë edhe mbi 43 mijë punonjës që nuk kanë marrë pagën prej 40 mijë lekësh, pasi me rishikimin e VKM-së 305 ku u përfshinë të larguarit nga puna nga 1 marsi deri më 17 maj, u rrit edhe numri i përfituesve, nga 176 mijë në 210 mijë.

Burime nga Ministria e Financave pohojnë se procesi vijon dhe të dhënat nuk janë përfundimtare, dhe se një shifër të saktë për numrin e përfituesve do ta kemi në fund të javës që vjen. Aktualisht në Drejtorinë e Tatimeve po punohet me punonjësit që duhet të aplikojnë vetë pasi biznesi nuk ka aplikuar, me ankesat nga qytetarët për procesin si dhe me formularët e dorëzuar nga bizneset me arsyet e mos aplikimit.

Në përfundim të këtyre fazave Administrata e tatimeve do të vijojë me masat ndëshkuese për të gjitha ata biznese që nuk kanë aplikuar për punonjësit e tyre, dhe për çdo aplikim të munguar ata do të gjobiten me 50 mijë lekë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?