Partia e Lëvizjes për Drejtësi të Pakistanit (PTI), e udhëhequr nga ish-kryeministri Imran Khan, rifilloi marshimin e saj nga qyteti Wazirabad, ku Khan u sulmua më 3 nëntor, drejt kryeqytetit Islamabad.
Sipas lajmeve të mediave kombëtare, në mungesë të Khan, i cili u plagos nga të shtënat, marshimi do të drejtohet nga nënkryetari i PTI-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Shah Mahmoud Qureshi.
Khan do t'i bashkohet marshimit kur PTI të arrijë në Rawalpindi.
Khan përmes një videoje të regjistruar tha: "Sido që të ndodhë, ky marshim do të bëhet. Unë nuk po luftoj për veten time, por për ligjin dhe drejtësinë në këtë vend. Për këtë arsye, të gjitha forcat janë bashkuar kundër meje".
Duke theksuar se sulmi kundër tij ishte planifikuar, ai gjithashtu tha: "Unë do të vazhdoj këtë luftë sa të jem gjallë dhe nuk do të bëj asnjë hap prapa".
Qindra mbështetës të PTI-së bllokuan gjithashtu rrugët në qytetet Lahore dhe Rawalpindi. Në autostradën që lidh qytetin Lahore dhe Islamabadin, protestuesit e PTI-së po protestojnë prej 4 ditësh.
Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rana Sanaullah akuzoi administratat e provincave në Punjab dhe Khyber Pakhtunkhwa për ofrimin e ndihmës për protestuesit që bllokuan rrugët.