Refugjatët afganë në një kodër pranë zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim

Pakistani shton pikëkalimet për dëbimin e vazhdueshëm të afganëve

13 Nëntor 2023, 14:56| Përditesimi: 13 Nëntor 2023, 14:59

  • Share

Pakistani ka hapur edhe tri pikëkalime të tjera kufitare për ta lehtësuar largimin e emigrantëve afganë të cilët po dëbohen drejt Afganistanit. Mediat pakistaneze raportuan të hënën se tri rrugët e reja janë hapur në Saifullah Fort të provincës Balochistan dhe në zonën e Noorhabit.

Më shumë se 300 mijë afganë pa dokumente janë larguar nga Pakistani deri tani, pasi Qeveria në Islamabad njoftoi muajin e kaluar se më shumë se 1.7 milion të huaj pa dokumente duhet të largohen deri më 1 nëntor, ose do të përballen me arrestim dhe dëbim.

Numri i pikëkalimeve kufitare është rritur në pesë tani. Rreth 15 mijë afganë po e kalojnë kufirin nga Pakistani për në Afganistan çdo ditë tani. Para ultimatumit të Qeverisë, rreth 300 afganë e kalonin kufirin brenda ditës.

Agjencitë humanitare ndërkombëtare kanë raportuan për skena dëshpëruese kaosi në mesin e afganëve që janë kthyer nga Pakistani.

“Shumë afganë në Pakistan janë duke u përballur tani me bastisje policore dhe shkatërrim të shtëpive të tyre pa proces ligjor. Të arrestuarve u është mohuar e drejta për avokat mbrojtës dhe komunikimi me anëtarë të familjes”, tha Amnesty International në X.

Pse po i dëbon afganët Pakistani?

Qeveria e Pakistanit tha se dëbimi i afganëve, për të cilët thotë se po jetojnë jashtëligjshëm në Pakistan, është nxitur nga një krizë e sigurisë, pas një rritjeje të numrit të sulmeve në rajonet kufitare të Pakistanit në muajt e fundit.

“Kanë ndodhur 24 raste të sulmeve vetëvrasëse prej janarit, 14 prej të cilave u kryen nga shtetasit afganë”, tha ministri i Brendshëm në detyrë i Pakistanit, Sarfraz Bugati, kur njoftoi për urdhrin në fillim të muajit tetor.

Pakistani e akuzon Qeverinë talibane se po i strehon grupet militante të cilat i fajëson për sulmet, siç janë Pakistani Taliban (TTP) – një grup i ndarë nga talibanët afganë, por me ideologji të njëjtë.

Pakistani është duke u munduar ta luftojë edhe kontrabandën kufitare, për të cilën thotë se po e thellon krizën ekonomike në vend, duke i rritur kontrollet në pikat e ligjshme kalimtare./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?