Doganierët grekë në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër pezulluan punën për rreth 1 orë e 30 minuta për shkak të një zjarri që kishte rënë pranë kufirit në anën greke, pasi kishte nisur fillimisht në tokën shqiptare dhe ishte përhapur për shkak të erës së fortë.
Zjarri kishte rënë larg objektit përpunues të pasaportave apo doganës greke, por tymi i çliruar nga flakët nxiti policët grekë që të zbatonin protokollin e emergjencave të zjarreve duke ndaluar procesin e kalim-përpunimit të pasaportave, si në hyrje dhe në dalje të territorit grek.
Bllokimi i punës shkaktoi radhë kilometrike në të dy anët e kufirit. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse greke.
U desh ndërhyrja e 2 avionëve grekë për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve, çka çoi në normalizimin e situatës dhe rifillimin e kalimit në kufi.
Kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli, ka reaguar në lidhje me zjarrin e rënë në Kakavijë pasditen e sotme. Ai shprehet se për shkak të zjarrit janë djegur 4 shtëpi në fshat, si dhe janë shpëtuar 4 banorë. Gjithashtu, ai bën me dije se për shuarjen e flakëve, Greqia po ndihmon me ndërhyrje nga ajri.
“Është situatë emergjente në Kakavijë. Janë djegur 3-4 shtëpi të fshatit. Ende nuk dihen motivet për zjarrin, policia po heton. Zjarri është në shumë zona të banuara të fshatit. Situata në këto momente është nën kontroll. Kanë ardhur zjarrfikëse nga Gjirokastra dhe nga ajri ka ardhur ndihmë nga Greqia, pasi zjarri ka kaluar edhe në anën greke. Shtëpitë kanë qenë të banuara, nxorëm 4 persona nga shtëpitë. Zjarri ka ardhur poshtë Kishës së fshatit, ende nuk dihen shkaqet. Situata në këto momente duhet të kemi kujdes, sepse zona është plot me pisha. Koha është shumë e papërshtatshme për këto situate”,- është shprehur
Pas bllokimit të punës në Kakavijë që lidh Shqipërinë me Greqinë, zjarret kanë shkaktuar të njëjtën problematikë edhe në kufirin me Maqedoninë e Veriut në doganën e Goricës.
Gazetari i Report Tv, Armand Braho, ka mësuar se në doganën e Goricës në Pustec është bllokuar kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Kurse mjetet e tjera mund të vazhdojnë qarkullimin.
Shkak është bere një vatër zjarri në pjesën maqedonase, në të dy krahët e rrugës, duke krijuar rrezik për mjetet.
Dogana Shqiptare dhe ajo Maqedonase kanë bllokuar deri në një moment të dytë kalimin në këtë doganë.
Zjarri ndodhet në afërsi të territorit shqiptar, ndërsa autoritet fqinje po ndërhyjnë për të neutralizuar flakët.
Komente
