Paleografia latine, ka të bëjë me studimin dhe deshifrimin e shkrimit latin, kryesisht të dorës, në të gjitha kohërat. Megjithëse deri tani ka qenë shkencë ndihmëse e historisë, ajo gjithnjë e më shumë po trajtohet si shkencë më vete, e po shndërrohet gjithnjë në një rrugë kyçe e cila duhet përshkuar për të zbuluar shumë sekrete e mistere të periudhës së mesjetës.
“Është një disiplinë e cila vjen paksa me vonesë në historiografinë shqiptare sepse paleografia latine është ura që na lidh me Evropën, duke qenë se latinishtja ishte gjuha zyrtare e të gjithë Evropës.”- tregon profesor, doktor Etleva Lala, studiuese e paleografisë latine.
Në Shqipëri, përveç fushës politike, shumë aspekte të jetës, përgjatë kësaj periudhe, sidomos jetës sociale apo religjoze, mbeten të errëta e të pastudiuara ende. Por sfida kryesore e historianëve që i qasen kësaj periudhe mbetet deshifrimi i saktë i qindra dorëshkrimeve të vyera, në të cilat studiuesit hasin kurthe të çuditshme, për shkak të të cilave mund të bëjnë edhe deshifrime të gabuara e t’i japin historisë një rrjedhë tjetër. Shqipërisë deri më sot i kishte munguar tradita e studimit të paleografisë latine, për nevojat e të cilës, u mbatj për herë të parë këtë vit edhe shkolla verore paleografike e gjuhës latine, organizuar nga profesor doktor Etleva Lala, një studiuese skrupuloze e kësaj fushe, në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Universitetit të Tiranës.
“Megjithatë jemi mirënjohës që më në fund u hap kjo derë dhe po mundësohet një shkollë e mirëfilltë paleografike për studiuesit shqiptarë.” shprehet studiuesja e paleografisë latine.
Për Etleva Lalën, si studiuese, thellimi në shkencën e paleografisë ka ardhur si nevojë për t’ju qasur dokumenteve dhe informacionit të tyre në mënyrë sa më profesionale. Ajo e njeh mirë rëndësinë që ka edhe një shkronjë e vetme, apo funksioni i vërtetë që ka një simbol apo një shkurtesë e përdorur para një emri. Etleva Lala sjell një shembull konkret nga një diskutim mes kolegësh që ka patur para dy dekadave me profesor Aurel Plasarin, diskutim që e kanë rikujtuar këto kohë dhe është kthyer edhe në shtysën kryesore për hapjen e shkollës verore të paleografisë në Tiranë....
“Paleografia latine ka qenë mjet pune për mua dhe puna në arkiva më ka detyruar që ta kem përditshmëri sepse në arkiv gjithë kohën je i përballur me dokumentin vetë dhe duhet ta lexosh në radhë të parë, para se mund ta kuptosh. Por sigurisht që para se të shkoja në arkivat e Vatikanit apo në arkivat e tjera, kam marrë formimin përkatës teorik sepse duhet teoria që të kuptosh, d.m.th. duhet t’i dish p.sh. shkurtesat, kuptimin e shkurtesave përpara se të shkosh te dokumenti apo mënyra se si duhet ta trajtosh dokumentin është gjë që mësohet në fillim teorikisht. Por nuk e kam parë si qëllim më vete. Është një gjë që kohët e fundit më është tërhequr vëmendja, kryesisht do të thoja nga akademiku Aurel Plasari, i cili më tha në një takim që pata me të, në janar në mos gaboj, që më mbante mend për hir të një fjale kur jemi takuar për herë të parë në vitin 2002 më duket, kur unë sapo kisha filluar ose po punoja për doktoratën dhe ai po punonte për Skënderbeun dhe kishte një moment hamendësimi për një dokument arkivor që e kishte në formë fotokopje nga takela dhe më pyeti se kjo fjala përpara Skënderbeut a është dus apo çfarë është sepse në qoftë se do të ishte dus apo duk në shqip, atëherë do të sillte një risi në historinë e Skënderbeut, d.m.th. Skënderbeu kishte edhe një element tjetër të pastudiuar më parë.
Por në momentin që ai ma tregoi dokumentin, unë menjëherë i thashë që është dominus, nuk është dus dhe ai më pyeti si ka mundësi që është dominus në tri shkronja dhe unë i thashë që është shkurtesa e dns-së, që është shkurtesa për dominus. Dhe ishte një fjalë që bëri ndryshimin d.m.th. dhe që ai më kishte mbajtur mend nga hera e parë, që më dha atë ndjesinë të merrja përsipër si të thuash një shkollë paleografike sepse, në fund të fundit, është një gjë që unë e bëj çdo ditë në jetën time personale si studiuese dhe që pse jo, përderisa në Shqipëri nuk ka të tjerë që e kanë filluar këtë rrugë, pse të mos e fillojë dikush. Dhe konkretisht unë jam këtu, jam në një periudhë ku mendoj se jam maturuar si studiuese qoftë në aspektin paleografik, qoftë në aspektin e të kuptuarit të mesjetës në tërësi dhe sidomos të asaj shqiptare në veçanti dhe që mund t’i përball sfida të shumta që mund të vijnë kur merr përsipër një fushë kaq të rëndësishme dhe kaq të vështirë sepse janë pyetje jo vetëm grafike, por janë pyetje edhe historike që të vijnë nga të gjitha fushat, sidomos kur studentët janë apo studiuesit janë në zhvillim e sipër dhe janë kuriozë dhe janë sfidues....
Jam në momentin kur unë duhet të jap pas gjithë kësaj që kam marrë sepse në fund të fundit mbetesh ujë i pastër edhe kur jep jo vetëm merr. Ata që marrin bëhen vetëm det i vdekur, ndërkohë që po të japësh atëherë edhe mundesh që vetë të përfitosh më shumë nga energjia e studentëve. Dhe jam shumë e lumtur që m’u dha kjo mundësi, në mënyrë që të hap këtë shkollë të parë paleografike, me ca studentë brilantë, të cilët jo vetëm që janë shumë inteligjentë edhe shumë të shpejtë për të kuptuar si shkurtesat ashtu edhe grafemat e ndryshme me të cilat dalin shkrime të ndryshme në mesjetë, por edhe kuriozë për të ditur përtej asaj që është në letër dhe për të ditur historinë e dokumentit në fjalë.”-tregon studiuesja Etleva Lala.
Në studimin e paleografisë rëndësi të veçantë ka edhe studimi i historisë se si ka evoluar shkrimi i latinishtes nga një shekull në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Ky hap i parë dhe i rëndësishëm, hap shtigje të reja për kureshtjen apo grishjen e studiuesve dhe historianëve që i qasen mesjetës.
“Shkrimi latin ishte shkrimi kryesor gjatë të gjithë mesjetës sepse shtypshkronja nuk kishte akoma dhe ky shkrim i dorës është mjaft individual në disa raste ashtu siç është edhe sot kur merr të lexosh një dokument ose një letër të shkruar nga një person, gjithmonë janë ato hipotezat: di ta lexoj çdo fjalë apo shkronjë, e kuptoj mirë apo s’e kuptoj mirë. Në mesjetë kjo ishte dilema kryesore. Por megjithatë ka disa standarde për ta bërë një shkrim të lexueshëm nga një rrymë e caktuar, nga një grup i caktuar. Në fillim ishte ai shkrimi romako-rustik që, pasi shkrimi romak përdorej kryesisht i gdhendur nëpër materiale të forta, gur apo gjëra të tilla. Më vonë filloi që të përdorej edhe si shkrim dore në papirus, në dyllë dhe më vonë, sidomos pas ardhjes së krishterimit në Evropë, kryesisht në të gjithë Perandorinë Romake në përgjithësi, filloi që të zhvillohej në një mënyrë të paprecedentë më parë sepse romaku kursiv apo romaku rustik konsiderohej si shkrim në të cilin më shumë kopjoheshin autorët paganë, të cilët nuk ishin shumë të krishterë dhe nuk ishin shumë të shenjtë për të përdorur tekstet e shenjta në atë lloj shkrimi dhe prandaj krijuan një shkrim tjetër që t’i përgjigjej kësaj lloj nevoje për shenjtëri të shkrimeve të shenjta që është shkrimi uncial konkretisht. Vjen me Shën Jeronimin për herë të parë në shek. V, por që zhvillohet edhe përhapet në të gjithë Evropën me një shpejtësi të paparë më parë, ndoshta për shkak edhe të përhapjes edhe të krishterimit. Merr forma të ndryshme me vazhdimin e shekujve pavarësisht se vazhdon të mbetet uncial, semi-uncial, uncial-kursiv...”-shpjegon studiuesja Lala.
Vendet e ndryshme të Evropës përgjatë shekujve V. apo VI. karakterizohen nga mënyra të ndryshme të shkrimit të latinishtes, ku shkrimi uncial u përhap kudo së bashku me praktikat e shumta kishtare.
“Në Gjermani është e ndryshme nga mënyra se si shkruhet në Spanjë apo në Portugali apo e ndryshme nga mënyra se si shkruhet në Italinë Jugore. Në Italinë Jugore është beneventani që fillon të mbizotërojë. Kemi shkrime të tjera që kanë emra të ndryshëm, në Britani p.sh. është shkrimi ishullor i cili merr rëndësi më të madhe dhe që bën edhe krijimin e atyre mrekullive që njihen edhe sot e kësaj dite si “Libri i Kelve” (The Book of Kell’s). D.m.th. janë ca mrekulli që krijohen në shek. VI dhe që edhe sot e kësaj dite studiuesit janë të mahnitur, por edhe të sfiduar nga çfarë materiali është përdorur që ngjyrat janë kaq të bukura, që ka këtë lloj refleksi, që shkrimi është kaq i bukur, d.m.th. si ka mundësi që njerëzit në atë kohë kanë krijuar një mrekulli që i ka rezistuar kohës në mënyrë kaq perfekte.”-shpjegon studiuesja e paleografisë latine.
Në kohën e Karlit të Madh në të gjithë Evropën u bë një lloj reforme që synonte të hiqeshin duart lokale, nacionale, të cilat e bënin shkrimin të vështirë për gjuhën e një vendi tjetër e të synohej një lloj unifikimi në shkrimin e latinishtes.
“Shkrimi meroving është një ndër më të vështirët për t’u lexuar dhe u fut ajo reforma karolinge dhe shkrimi karoling që nga njëra anë solli një lloj reforme në ndarjen e fjalëve. Për herë të parë në mënyrë të institucionalizuar urdhërohej që fjalët të ndahen nga njëra-tjetra, ndërkohë që deri në atë kohë ishte kryesisht shkrimi skriptakontinua, që e gjithë fjalia ishte një fjalë, nuk ishin të ndara fjalët nga njëra-tjetra dhe nuk kuptohej ku fillon fjala dhe ku mbaron. Kishte vende, raste, kur ndaheshin por sipas dëshirës së skribit. Tani, me ardhjen e kësaj reforme të re nga Karli i Madh, fjalët janë të detyruara që të ndahen. Reforma tjetër që bëri Karli i Madh është se u urdhëruan të gjithë murgjit nëpër të gjitha qendrat monastike, të kopjojnë, të shkruajnë gjithçka që ekziston, qoftë të shenjta qoftë pagane, çfarëdo që ekziston e shkruar ta kopjojnë dhe ta ruajnë, të krijojnë arkivat nëpër qendrat e tyre. Dhe ky stil karolin, që njihet si stil karolin, u bë dominues në të gjithë Evropën.” -tregon studiuesja Etleva Lala.
Në këtë epokë zhvillimesh, në mesjetë u përfshinë natyrshëm edhe shqiptarët, të cilët nuk ishin të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës, pasi kultura që ekzistonte në Evropë ishte e pranishme edhe në Shqipëri.
“Në momentin që krishterimi u mor nga Perandoria Romake, edhe shqiptarët filluan të jenë pjesë e kishës, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Në momentin që kisha u bë kishë zyrtare e Perandorisë Romake, ishte e detyrueshme që çdo person të shkonte në kishë. Nëse nuk shkonte në kishë quhej i jashtëligjshëm, nuk quhej qytetar, d.m.th. termi qytetar ishte i lidhur ngushtësisht me kishën. Kështu që përderisa kisha ishte ajo që kishte në dorë shkrimin kryesisht sepse regjistronte popullsinë, regjistronte, sidomos kisha perëndimore, atëherë shqiptarët e kishin këtë traditë të të shkruarit pavarësisht se çfarë kemi apo s’kemi sot.
Unë jam e mendimit që më shumë nuk dimë sesa nuk kemi. Kemi shumë gjëra të cilat gjithmonë e më shumë po dalin në dritë nga kërkimet në arkiva të ndryshme, gjithashtu edhe nga dixhitalizimet që po bëhen në arkivat e ndryshme duke i vënë këto fondet e tyre në internet dhe të aksesueshme nga e gjithë bota. Mjafton që të kërkosh edhe gjen. Dhe problemi tani është se, nëse kërkon dhe nuk di t’i lexosh, çfarë mund të bësh me ato letra, dokumente, në kuptimin e shkrimit të dorës. Duhet të dish t’i kuptosh ato dhe atëherë edhe mund të gjesh. Por pastaj pasi i ke gjetur duhet të dish t’i deshifrosh dhe është sfidë paksa latinishtja e shkruar me dorë...”- sipas profesor,doktor Etleva Lala.
Dorëshkrimet e mesjetës na dëshmojnë se në atë periudhë, njerëzit shkruanin ose në lëkurë, ose në letër, por të dyja këto ishin të limituara dhe të një cilësie të lartë. Mund të cilësohen me konceptin e sotëm edhe si materiale luksi, pasi ishin të shtrenjta dhe prodhoheshin në sasi të kufizuar.
“Prandaj lindi nevoja që shkrimin ta përdorin në mënyrë ekonomike sa më të ngushtë, sa më të shkurtuar dhe prandaj përdorin shkurtesa shumë. Tani mund të kesh dokumentin në dorë dhe nuk kupton se çfarë është shkruar në të sepse fjala dominus p.sh., është shkruar dns. Nuk ka asnjë lloj logjike se çfarë lidhje ka dominus me dns në qoftë se nuk e di që kjo është shkurtesa e kësaj fjale ose deus është e shkruar me ds ose dei me di. Kaq. Eklesia është e shkruar me eçl. Dhe janë shkurtesa të padeshifrueshme vetë me njohuritë që kemi ne sot, nga latinishtja që marrim nëpër shkolla duhet të dish patjetër paleografi që të mund t’i lexosh këto lloje shkurtesash.” -shpjegon studiuesja Lala.
Mesjeta mund të konsiderohet si një fushë e artë sa i takon studimeve, ku rrugët e hulumtimeve janë të panumërta. Në Shqipëri, kjo periudhë e quajtur shpesh edhe epoka e errët, është ende fare pak e studiuar.
“Shpesh në civilizimin perëndimor konsiderohet si ajo periudha, nuk konsiderohet më si periudhë e errët, por si periudhë shtatzënie, ku civilizimi që vjen më vonë është si ai fëmija që lind i shëndoshë apo me të gjitha karakteristikat e tij që i ka marrë gjatë shtatzënisë d.m.th., ngjyra e syve apo ngjyra e flokëve apo sindroma të ndryshme, janë të gjitha në këtë periudhë. Pra të studiosh mesjetën do të thotë të dish arsyet se pse një komunitet i caktuar apo një shoqëri e caktuar ka këto rezultate sot. Prandaj gjithmonë e më shumë po i vihet rëndësi mesjetës për ta kuptuar dhe për ta studiuar në mënyrë sa më interdisiplinore nga të gjitha aspektet sepse nuk mjafton më të jesh vetëm historian dhe të studiosh çfarë ka ndodhur në aspektin e luftërave apo ngjarjeve të mëdha, por janë ato ngjarjet e përditshme që në fakt tregojnë edhe zhvillimin e mirë apo problematik të shoqërisë më vonë dhe në Shqipëri, për fat të keq, nuk i është vënë vëmendja e duhur kësaj periudhe duke pasur arsye të ndryshme ndoshta, disa edhe të justifikueshme, por që mendoj se ka ardhur koha që t’i kthehemi kësaj periudhe më me intensitet sepse është periudha kur populli shqiptar krijohet si popull dhe del në pah në arenë. Nuk është se krijohet në kuptimin e mirëfilltë që lind si popull, por që krijohet në aspektin politik, në aspektin social dhe kemi konkretisht Regnum Albania
që u jep identitet shqiptarëve për t’u njohur qoftë nga Papati, qoftë nga perandori, qoftë nga mbretërit. Pra është ajo njohja politike që të bëjnë të tjerët në fakt, arsyeja se pse ekziston apo nuk ekziston më vonë. Dhe është pikërisht mesjeta e cila duhet të marrë më tepër vëmendje, jo vetëm sepse është periudha që na bashkon më së shumti me Perëndimin, siç promovohet në shumicën e kohës. Në atë kohë kemi qenë më perëndimorë se kurrë. Është e vërtetë, por është e vërtetë edhe tjetra që ajo është momenti kur shqiptarët janë të vetëdijshëm për të qenit të tyre si komb, si grup, me një identitet të caktuar, që janë të ndryshëm nga grekët. Që janë të ndryshëm nga grekët, në kuptimin bizantinët sepse nuk po flasim për etni në këtë kuptim dhe shqiptarët janë në fakt si Regnum albanie, si institucion politik.”
Për një studiues të kësaj periudhe, fusha kyesore e betejës janë fondet arkivore në të gjithë vendet e Evropës dhe më gjerë. Dhe për Shqipërinë këto arkiva kanë mjaft për të zbuluar....
“Sigurisht që të gjithë arkivat e Evropës mund të kenë diçka, janë potencialisht të pasura edhe me dokumente për Shqipërinë sepse në rastin më të tjeshtë kisha katolike ka funksionuar si një sistem i jashtëzakonshëm mobilizimi duke i çuar klerikët këtu, duke i sjellë, duke i nominuar nëpër vende të ndryshme dhe kështu që shqiptarët kanë qenë në këtë kuadër pjesë e këtij sistemi dhe kanë vajtur në vende të tjera ashtu siç kemi pasur edhe në Shqipëri ipeshkvë apo kryeipeshkvë që vinin nga vende të tjera, francezë, gjermanë apo mga vende, nuk kishte rëndësi. Pra ishte një sistem i cili lejonte mobilitetin edhe lejonte dinamikat brenda Perandorisë, brenda gjithë Evropës.
Sigurisht që arkivi kryesor është ai i Vatikanit, pa dyshim, sepse është arkivi që dashje pa dashje, edhe pa u kërkuar periferive dhe pa u kërkuar popujve apo vendeve, komuniteteve që të dërgojnë letra, ata ishin të detyruar që të dërgonin letra, të dërgonin relacione, të dërgonin informacione. Ishte, vinte nga vetë të qenit qendër, i cili i detyronte ata që të shkonin, të dërgonin dokumentacion.
Tek arkivat do të shtoja edhe arkivat e Dalmacisë që janë shumë të pasura me historinë e shqiptarëve sepse shqiptarët ishin shumë aktivë në Dalmaci dhe është interesante se shqiptarët konsiderohen njëlloj si qytetarët dalmatinas. Nuk bëhet diferencim që këta janë shqiptarë, këta janë dalmatinas. Dhe arkivat dalmatinase, edhe ata të vegjlit, që nuk janë hulumtuar deri më sot kanë shumë dokumente.”
Por si jetonin shqiptarët në mesjetë, çfarë mund të zbulojmë mes dokumenteve arkivore për jetën sociale në vend?
“Temat që mund të tregojnë më shumë për shqiptarët edhe që janë më pak të rrahura, mendoj se kanë të bëjnë me përdishmërinë, me jetën e përditshme të shqiptarëve, me mënyrën se si ata organizohen nga ana sociale, me mënyrën se si organizojnë ambientin ku jetojnë, pra një lloj antropologjie ndoshta, por të bazuar në dokumente, d.m.th. nuk jam shumë partizane e asaj që të krijojmë një ide të përfytyruar në bazë të objekteve, në rregull janë edhe dokumentet materiale d.m.th., por më shumë rëndësi për mua ka ekuilibri i të dyjave apo kontrolli i të dyjave dhe nxjerrja në pah e esencës së shqiptarëve si shqiptarë, e cila gjë mendoj se vazhdon edhe më vonë.
Unë jam frymëzuar shumë nga Niklas Luman, një sociolog gjerman i shekullit të kaluar në fakt, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i cili e konsideron sistemin i pjesa kryesore e shoqërisë, d.m.th. e ka marrë teorinë e sistemit nga jeta biologjike.
D.m.th. mënyra se si unë pi ujë apo trupi im e përpunon atë, është krejt ndryshe nga mënyra se si një organizëm tjetër e përpunon ujin. Dhe po kështu një shoqëri. Mënyra se si shoqëria shqiptare e ka marrë p.sh. katolicizmin, mënyra se si e ka marrë dhe se si e ka përpunuar edhe feudalizmin apo më vonë rilindjen apo fenomene të ndryshme që i ka përjetuar në fakt e gjithë shoqëria evropiane, është shumë e ndryshme nga mënyra se si një komunitet tjetër, italian p.sh., apo gjerman, e ka marrë të njëjtin fenomen dhe në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që historia të mund të nxjerrë këto lloje karakteristikash të shqiptarëve, të cilat më vonë bëhen institucione, siç është p.sh. besa, apo siç është besimi i shqiptarëve në supersticione, në vende të shenjta, në objekte të shenjta, pa kuptuar se çfarë është prapa asaj që po, këto janë gjëra që, të cilat kanë ardhur që nga mesjeta dhe duhen studiuar me rrënjë, duhen parë në mesjetë se çfarë kuptimi kanë pasur dhe pse kanë ardhur në këtë aspekt, në këtë lloj interpretimi.” – shpjegon Etleva Lala, studiuese e paleografisë latine.
Për studiuesit e kësaj periudhe mbetet një grishje e madhe edhe hulumtimi në fushën e besimit. Studiuesja Etleva lala merr shembullin e hulimtimeve që të grishin p.sh. kur studion rreth figurës së një shenjtori.
“Një shenjtor i caktuar është e rëndësishme të studiohet si shenjtor, por mënyra se si një komunitet apo një individ e shikon shenjtorin tregon për individin vetë, tregon për komunitetin vetë. Çfarë shikon tek ai shenjtor janë gjëra që identifikojnë vetë shoqërinë apo personin, kështu që mënyra se si shqiptarët i kanë konsideruar gjërat e shenjta, tregon më shumë për shqiptarët sesa për shenjtorët dhe në këtë mënyrë mund të hedhim më shumë dritë te vetë karakteri i shqiptarëve, çfarë na bën neve të ndryshëm nga popujt e tjerë? Pse të njëjtin fenomen siç është p.sh. shenjtëria e personit apo e objektit është kaq e ndryshme në Shqipëri, apo jemi kaq paganë ndoshta, apo jemi kaq mosbesues ndoshta. Pse, çfarë ka ndodhur apo si kemi arritur që ne t’i përpunojmë këta elementë ndryshe nga ç’i përpunon populli sllav apo populli hungarez apo populli gjerman. Pse ata kanë të tjera qasje ndaj këtyre gjërave dhe ne kemi të tjera? Është koha kur këto lloje qasjesh të ngrihen në nivel shkencor dhe të mos shikohen më në mënyrë amatore apo në mënyrë fanatike. Nuk ka vend për fanatizëm në shkencë. Duhet parë gjithçka në mënyrë të matshme, në mënyrë shkencore, në mënyrë të provueshme.”
Duke u ndalur për një javë rresht në shembuj konkret, kjo eksperiencë e parë e shkollës së paleografisë latine, nxorri në pah diskutime rreth shumë dokumenteve që për studimin periudhës tonë të mesjetës janë ndër më të rëndësishmet, si Formula e Pagëzimit, dorëhskrimi i Barletit "Pushtimi i Shkodrës, etj...
“Konkretisht ne kemi pasur ca dokumente jashtëzakonisht interesante, në fakt në këtë shkollë verore, kemi pasur “Debelo Skodrenci” që është manuskripti, dorëshkrimi i Barletit para se të botohej “De obsevione skondrenci” d.m.th. “Pushtimi i Shkodrës”. Ai ka bërë të gjithë librin, e ka bërë në dorëshkrim në fillim dhe është tani në Bibliotekën Nacionale të Parisit dhe ne kemi gjetur dorëshkrimin. Unë në fakt kam bërë edhe krahasimin e të dyjave, edhe të manuskriptit edhe të botimit dhe ndryshimet që janë midis të dyjave janë një burim i vërtetë dije dhe kulture sepse mënyra se si është edituar dorëshkrimi dhe është sjellë në botim, tregon kaq shumë për botën e atëhershme të të kuptuarit edhe ngre kaq shumë probleme dhe enigma për t’u studiuar saqë është një burim i jastëzakonshëm. Pastaj kemi pasur “Kodikun” e Ashbërn Hanit ose, ku gjendet edhe “Formula e Pagëzimit” dhe “Formula e Pagëzimit” deri tani është publikuar si të thuash, vetëm në një faqe, ndërkohë që i gjithë “Kodiku” nuk është botuar kurrë deri tani. Dhe unë e kam përgatitur në fakt për botim, me transkriptim edhe me përkthim, dhe shpresojmë që së shpejti do të gjejmë një institucion i cili do ta mbështesë edhe botimin. Pastaj kemi pasur edhe bula papnore, qoftë mandatin e Skënderbeut për Muzakën si i dërguar i Skënderbeut.
Kemi pasur një bulë papnore të engjëllorëve, ku njihen të gjitha privilegjet e engjëllorëve që kanë marrë historikisht nga perandori bizantin. Pastaj kemi pasur Gazulin, qoftë një dokument ku Gazuli është si të thuash, një letër e dërguar Gazulit, por gjithashtu edhe Astrolabin e famshëm të Gazulit. Gazuli ishte i famshëm si astrolog në fund të ditës, dhe ky dorëshkrim që gjendet në arkivat e Dubrovnikut është i pabotuar kurrë më parë. Dhe me studentët zbërthejmë tekstin, zbërthejmë shkurtesat dhe është një kënaqësi e paparë kur ke mendje të tjera me të cilat mund të diskutosh, mund të ndash të njëjtat eksperienca, ndoshta edhe të njëjtat emocione, sa gjë e bukur është kjo këtu apo sa bukur e ka thënë këtë tjetrën këtu, sa ndryshojnë, cilat janë sfidat. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme kur punon në grup dhe kjo është kënaqësia më e madhe e shkollës verore dhe shpresoj që nesër e pasnesër këta studentë të jnë edhe kolegë, me të cilët mund të zhvillojmë më tej qoftë paleografinë në edicione të mëtejshme, qoftë edhe mesjetën, në fund të ditës.
Mendoj se do të shndërrohet në një traditë sepse nevoja është e madhe, nuk kemi shumë latinistë, nuk kemi shumë historianë që e njohin paleografinë latine dhe që mund të shfrytëzojnë dokumentet e pabotuara dhe të patranskriptuara, pra që vijnë direkt nga arkivat. Kështu që është një nevojë që duhet plotësuar herët a vonë dhe meqenëse e filluam, besoj që do të kemi edhe të gjithë mbështetjen institucionale, ashtu siç edhe tregohet nga mirëkuptimi dhe nga energjia pozitive që po jep Universiteti i Tiranës për të vazhduar këtë lloj tradite.”-shprehet për Report Tv profesor, doktor Etleva Lala.