Washington - Pam Bondi u betua si Prokurore e Përgjithshme të SHBA-së këtë të mërkurë, vetëm disa orë pasi Senati konfirmoi emërimin e saj me 54 vota pro dhe 46 kundër.
Emërimi i Bondi-t u miratua të martën nga Dhoma e Lartë e Kongresit me 54 vota pro dhe 46 kundër, ku senatori demokrat John Fetterman nga Pensilvania iu bashkua republikanëve në mbështetjen e saj.
Ajo do të marrë detyrën si zyrtarja më e lartë e zbatimit të ligjit në vend, në një kohë kur Presidenti Trump ka premtuar të ndalë atë që e quan “armatosjen politike” të Departamentit të Drejtësisë dhe ka kërcënuar se do të përndjekë penalisht kritikët e tij.
Ceremonia e betimit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë dhe u drejtua nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas, në prani të Presidentit Trump.
“Argëtohu,” i tha Trump Bondi-t pas betimit, duke shtuar më vonë se ajo do të “shkrijë krimin nga sistemi.”
Pas betimit, Prokurorja e re e Përgjithshme mbajti një fjalim të shkurtër, duke theksuar se është e nderuar të udhëheqë Departamentin e Drejtësisë.
“Do të rikthej integritetin në Departamentin e Drejtësisë dhe do të luftoj krimin në të gjithë vendin dhe në mbarë botën. Do ta bëj Amerikën të sigurt përseri,” deklaroi Bondi.
Trump e zgjodhi Bondi-n pas tërheqjes së kandidatit të tij të parë, Matt Gaetz, i cili ishte në hetim nga Komiteti Etik i Dhomës së Përfaqësuesve.