Pamje nga përmbytja në Kosovë

Pamje drithëruese: Dy zyrtarë komunalë në Skenderaj shpëtojnë dy të moshuar nga mbytja prej vërshimeve

19 Janar 2023, 21:34| Përditesimi: 19 Janar 2023, 21:38

  • Share

Reshjet e shiut në Kosovë kanë shkaktuar vërshime nëpër shumë qytete e fshatra. Njëjtë ndodhi edhe në Skenderaj, atje ku duket që të jetë situatë mjaft e rënduar. Nacionale ka siguruar pamje ekskluzive ku dy të moshuar rreth 60-vjeç, janë shpëtuar dhe janë nxjerrë nga uji nga zyrtarë komunalë, derisa fatkeqësisht, kishin qëndruar në ujë për disa orë.

Ekipet e emergjencës janë mobilizuar për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga vërshimet nëpër shumë pjesë të vendit.

Por në Skenderaj, nuk u prit për ekipe. Zyrtarët komunalë, siç shihet në disa pamje ekskluzive që i ka siguruar gazeta Nacionale, u kanë dalë në ndihmë dy personave të moshës rreth 60 vjeçare.

Derisa po qëndronin me kryetarin e komunës, Fadil Nura në terren, Nacionale ka mësuar se zëdhënësi i komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku, bashkë me drejtorin Alban Berisha kanë nxjerrë çiftin nga uji, ku po qëndronin për disa orë.

Krejt këtë moment të jashtëzakonshëm, e ka xhiruar fotografi Brahim Nura dhe mund ta ndiqni në pamjet më poshtë.

"Ndër momentet më të lumtura të jetës" – ka thënë zëdhënësi Lushtaku për Nacionalen.

Si pasojë e situatës me vërshimet, kryetari i komunës Fadil Nura, ka konfirmuar se kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë.” – tha ai më herët në një shkrim në Facebook.

Policia e Kosovës para pak minutash ka dalë me një komunikatë për media, ku ka konfirmuar se ka pasur vërshime, shembje dheu e gurësh, si dhe shtëpi të përfshira nga uji.

“Policia e Kosovës në ato zona ku ka potencial për vërshime, ka shtuar patrullimet dhe verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale etj., si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.” – thuhet në komunikatë.

Situatë e rënduar është edhe në veri të vendit, ku ka pasurvërshime sidomos në Lagjën e Boshnjakëve.

“Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut. Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga.” – bëhet e ditur mes tjerash.

Po ashtu, nivel të shtuar ka pasu të ujit ka pasur edhe në dy rrugë të Gjakovës, në Ujmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, Istog, dhe në rajonin e Mitrovicës.

Megjithatë, në komunikatë nuk bëhet e ditur nëse ka pasur të lënduar nga vërshimet.

Qeveria bën thirrje për kujdes

Qeveria e Kosovës po ashtu, ka konfirmuar se si pasojë e vërshimeve, janë ngritur kapacitetet reaguese me qëllim të përmirësimit të situatës.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. Autoritetet tona zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.” – thuhet në njoftimin e Qeverisë të publikuar pasditën e së enjtes.

Qeveria mes tjerash, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdesë në lëvizje, pasi siç ka njoftuar Instituti Hidrometerologjik, përkeqësim i motit parashihet të vazhdojë edhe gjatë së premtes, pra nesër.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugo.” – shkruhet në njoftim. / Nacionale

 

F.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?