Rruga panoramike Shirokë–Zogaj po i nënshtrohet transformimit, duke kaluar nga një aks i ngushtë dhe i amortizuar në një rrugë moderne, funksionale dhe të sigurt.Banorët e zonës e kanë mirëpritur këtë ndërhyrje të shumëpritur, duke theksuar se perspektiva e zhvillimit tashmë ka nisur të ndjehet.
Tani ka vënë dorë shteti dhe shohim që janë duke punuar shumë mirë. Pjerrësitë po eliminohen dhe ne jemi shumë të kënaqur”, shprehen banorët e zonës.
Aktualisht, punimet janë në një fazë të avancuar. Janë realizuar thuajse të gjitha gërmimet dhe mbushjet përgjatë gjatësisë së rrugës, ndërsa mbi 80% e strukturave mbajtëse janë drejt përfundimit. Traseja është e hapur në rreth 90% të gjatësisë, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin gjatë kohës së ndërtimit.
Njëkohësisht, ka nisur vendosja e shtresave rrugore, ndërsa po vijon edhe sistemimi i ujërave të bardha, një masë kyçe për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet gjatë stinës së reshjeve. Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu zhvendosjen e linjave ekzistuese të tensionit dhe të ujësjellësit.
Pjesë integrale e projektit është edhe ndërtimi i sistemit KUZ, që siguron kanalizimin dhe kullimin e ujërave. Deri më tani, është realizuar mbi 35% e kësaj linje.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ky investim strategjik pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe në zhvillimin e turizmit përgjatë liqenit të Shkodrës.
Rruga Shirokë – Zogaj është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Rruga do i kushtojë buxhetit te shtetit 4,7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë më 2 tetor 2025.
Komente
