Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka kaluar në nivel tjetër. Jo vetëm fronte në terren dhe betejë me raketa, por edhe investim në teknologjinë ushtarake.
Dhe shpikja më e fundit ushtarako-inxhinierike duket se po i terrorizon që të gjithë në sheshin e luftimeve, pasi bëhet fjalë jo më për dronë që hedhin raketa nga lartësia dhe distanca të telekomanduar, por për një dron që hedh zjarr nga sipër.
Pamjet e frikshme janë publikuar edhe në media të ndryshme raporton “La Repubblica”, që e shoqëron me video momentin, teksa faqet pro-ruse e paraqesin atë si një armë të re të projektuar nga inxhinierët e Moskës. Nga ana tjetër, ukrainasit pretendojnë se është shpikje e tyre.
Por imazhet e dronit flakëhedhës janë ende mbresëlënëse dhe terrorizuese: Pajisja hedh një substancë ndezëse me saktësi, pastaj vetëshkatërrohet.
Qëllimi është i qartë: të eliminohen pozicionet e kamufluara në rreshtat e pemëve që karakterizojnë fshatrat e Ukrainës jugore. Ky është skenari kyç i të gjitha luftimeve të dy viteve të fundit. Kontrolli i atyre vijave vendos përleshjet.
Sipas disa burimeve që i referohen ekspertëve dhe inxhinierëve ushtarakë, droni përdor termitin: një përzierje që digjet për një kohë të gjatë në tokë dhe depërton në strehimore, e përdorur tashmë në kokat e raketave ruse, me efekte shkatërruese.
Burime të tjera megjithatë besojnë se është një substancë e ngjashme me napalmin. Një tjetër tmerr që materializohet në frontet e luftës.