Lezhë- Policia e Mirditës njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Kaçinari” ditën e sotme (16 Gusht), arrestimin e një personi të dyshuar si kultivues, shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit dhe sekuestrimin e 170 rrënjëve bimësh narkotike.
Gjithashtu u proceduan penalisht edhe kryeplaku i fshatit Shpërthaz, si dhe 2 specialistë të Pyjeve në këtë zonë. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës bënë me dije se i ndaluari është N.M., kurse personi në kërkim F.B., teksa po hetohen edhe rolet e tyre në ngjarje.
I dyshuari u kap teksa po kujdesej për kanabisin e mbjellë, me ujitjen dhe prashitjen e tyre. Lënda narkotike u asgjësua pas mbajtjes së procesverbalit dhe hetimet janë aktive. Kryeplaku dhe specialistët akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi nuk evidentuan dhe raportuan rastin e aktivitetit të paligjshëm, kurse dosja i kaloi prokurorisë vendore.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera në çdo skaj të rrethit, në vijim të planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Mirditë finalizoi operacionin policor të koduar “Kaçinari” në fshatin Shpërthaz”, njoftoi policia vendore.
Teksa më tej sqaroi edhe procedimin e zyrtarëve vendorë dhe motivin:
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin K. K., kryetar i fshatit Shpërthaz dhe për shtetasit N. T. dhe F. F., specialistë të pyjeve në këtë zonë”.
Parcela dhe i dyshuari mësohet se u zbuluan nga droni i Policisë, gjatë monitorimit nga ajri.