Sociale

PAMJET/ Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014, e para si Papë në Europë! Emëroi kardinalin e parë shqiptar në histori, Ernest Troshani

21 Prill, 10:28| Përditesimi: 21 Prill, 11:54

  • Share

Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Report Tv rikthen këto pamje të rralla të vizitës së parë të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator 2014, në një udhëtim historik që shënoi vizitën e tij të parë në Evropë si Papë.

11 vite më parë, Papa Françesku pranoi ftesën e autoriteteve shqiptare dhe të Kishës Katolike për të vizituar Shqipërinë, me synimin për të përforcuar besimin e komunitetit katolik dhe për të inkurajuar dialogun ndërfetar në një vend me shumicë myslimane. 

“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”, kështu u lut Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014.

Në vizitën e tij të parë në Evropë, nga sheshi Nënë Tereza, mes tjerash Papa asokohe iu drejtua shqiptarëve me fjalët: "Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira."

Si rrallë herë, me qindra mijëra besimtarë, të krishterë e myslimanë, kishin mbushur bulevardin qendror të Tiranës, për të pritur Papa Françeskun. I hipur në makinën e hapur të sjellë nga Vatikani, përshkoi gjithë Bulevardin e Tiranës, duke përshëndetur të gjithë besimtarët jo vetëm nga Shqipëria, por që kishin mbërritur në vendin tonë për vizitën e Papës edhe nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Zvicra e SHBA-ja.

Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist. 

Sapo mbërriti, atë 21 shtator 2014, Papa Bergoglio u mahnit nga të rinjtë, që e pritën me dashuri të jashtëzakonshme, siç pati deklaruar atë Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i vetë Papës. E ndoqën kudo, nga aeroporti tek Presidenca e Shqipёrisё, nga Sheshi Nënë Tereza në Universitetin Katolik; nga Kisha Katedrale e Shën Palit në Qendrën Betania. Së bashku me të rinjtë, pamje e njerëz të tjerë: krerët fetarë, autoritetet e krerët e shoqërisë, shqiponja, martirët, përqafimi me dy të mbijetuarit e komunizmit, don Ernest Simoni (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaleta. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania.

Fetë e krerët fetarë

Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta që në fjalimin e parë për autoritetet, në pallatin presidencial. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.

Bashkëjetesa e dialog, u pati shpjeguar krerëve fetarë, kanë nevojë për dy qëndrime: “Ta shohim çdo burrë e çdo grua si vëlla e si motër” dhe të punojmë me përkushtim “për të mirën e përbashkët”. Sepse “sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë!” E Ati i Shenjtë ftoi të plotësohen “nevojat e të varfërve”. Fjalë, që u bënë jehonë atyre për autoritetet: “Globalizimit të tregjeve duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit”.

Ndërsa në Qendrën Betania, nënvizoi: “E mira të shpërblen pafundësisht më shumë se paratë, të cilat zhgënjejnë”. Fjalë, jashtëzakonisht të rëndësishme për atdheun e shqiponjave, gjithnjë e më i kërcënuar nga relativizmi dhe individualizmi, edhe sot, pas 6 vitesh, siç denoncojnë vazhdimisht ipeshkvijtë vendas, që shpesh, vënë në dukje të këqijat e vjetra dhe të reja: korrupsioni, çekuilibrimi shoqëror, sulmet ndaj institucionit të familjes...

Shqiponja dhe të rinjtë

Megjithatë, jo gjithçka është “zi”. Jo për një vend, që ka shqiponjën në flamur. Kjo shqiponjë, sugjeroi Papa Françesku gjatë Meshës në Sheshin Nënë Tereza, “t’ju kujtojë shpresën”. Ajo “nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart!” edhe ju, u tha Ati i Shenjtë shqiptarëve. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua veçanërisht të rinjve: “Thonë se Shqipëria është vendi më i ri në Evropë, prandaj po ju drejtohem juve. Ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, e ardhmja e atdheut. Mësoni t’i thoni ‘jo’ idhujtarisë së parasë, ‘jo’ lirisë së rreme individualiste, ‘jo’ varësive dhe dhunës; përkundrazi, t’i thoni ‘po’ kulturës së takimit dhe të solidaritetit. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë”. Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve.

Martirët dhe të mbijetuarit

Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Shqipëria – tha Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”. E dinin mirë don Ernesti e motër Maria, që i treguan Papës historinë e tyre të persekutimit, para lutjeve mbrëmësore në katedralen e kryeqytetit. Lotët e Atit të Shenjtë, menjëherë pas dëshmisë së tyre, prekën edhe zemrat e të pranishmëve, por jo vetëm kaq. Papa Françesku la mënjanë fjalën e shkruar e foli pa letër. “Ky popull – pohoi – i ka të gjallë në kujtesë martirët e vet”. E, duke iu drejtuar dy të mbijetuarve: “Më falni, që po ju përdor sot si shembull, por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri-tjetrin. Le të shkojmë në shtëpi, duke menduar se vërtet, sot, kemi prekur martirë”. Pamje simbolike, që mbyllën ditën historike, përjetuar nga Shqipëria, dikur, simbol i ateizmit komunist e tani, vizituar nga dy Papë.

Në 2016, emëroi kardinalin e parë shqiptar në histori Ernest Troshani

Papa Françesku, më 19 nëntor 2016 emëroi At Ernest Simon Troshanin me titullin kardinal. Papa e nderoi priftin shqiptar në një ceremoni të zhvilluar për nderimin e 17 klerikëve. At Ernest Simon Troshani u emërua me motivacionin “Për qëndresë historike në periudhën komuniste”. Prifti shqiptar ka vuajtur 18 vite burg në komunizëm. Ai u takua personalisht me Papën në vitin 2004. Gjatë celebrimit, kur Ati i Shenjtë i dhuroi unazën dhe kapelen e Kardinalit, i puthi dorën kardianlit të ri Troshani.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?