REPORT TV siguron pamje të tjera ekskluzive nga grabitja në aeroportin e Rinasit në datë 9 prill të këtij viti, ku autorët morën rreth 6 milionë euro. Në pamjet e reja të siguruara nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta duket furgoni i grabitësve me mbishkrimin “Hetimi Tatimor ” që pasi ka shpërthyer derën e rrethimit vijon i pa shqetësuar nga askush itinerarin në pistën e aeroportit duke kaluar nga pas avionëve të parkuar drejt avionit të linjës së Austrisë, ku po vendoseshin thasët me eurot.
Furgoni futet në pistë 10 sekonda pasi ulet një avion me 200 pasagjerë nga Italia. Avioni ku ndodheshin eurot është i treti në radhë, teksa dallohet bishti i 'Austrian Airlines". Furgoni i policisë që lëviz dhe furgoni i policisë kufitare që qëndron në pistë për të riatdhesuarit janë me armatim vetëm pistoleta.
Hetuesit e krimeve nga kjo video kanë krijuar dyshimet se dikush nga grabitësit më parë është futur në pistë i kamufluar si punëtor dhe dinte me ekzaktësi rrugët e kalimit dhe oraret e ulje dhe ngritjes së avionëve ose kishin dijeni nga brenda stafit për lëvizjet e avionëve. Krimet e Rënda kanë kërkuar ndalimin e 5 personave, pjesëtarë ICTS (kompania e sigurisë në Aeroport) dhe bankave. Nga videoja duket se furgoni në pistë ka qëndruar vetëm 2 minuta, ndërsa e gjitha grabitja ka zgjatur 5 minuta, nga çarja e derës dhe deri në momentin e daljes nga aeroporti.
Furgoni i policisë kufitare lëviz në 15:03 minuta, kur furgoni i grabitësve ishte larguar me paratë në 7 thasët e marra në bordin e avionit. Ndërsa FNSH-ja ka lëvizur disa sekonda më parë edhe ka qenë nga jashtë pistës duke e ndjekur. Pavarësisht se arrijnë që të largohen me shpejtësi nga pista për Admir Muratajn arratia do të merrte fund pas më pak se dy kilometra kur furgoni rrethohet nga policia dhe në shkëmbimin e zjarrit me armë mbeti i vrarë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij u arratisën me një tjetër furgon, bashkë me eurot.
Por disa javë pas grabitjes së 9 prillit disa prej autorëve u arrestuan. Deri më tani janë arrestuar gjashtë, autorë dhe bashkëpunëtorë, pasi personi që modifikoi furgonin Alkond Bengasi që është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, zbërtheu grupin. Në pranga kanë rënë Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Oltjan Veseli, Saimri Cela, Renaldo Sula dhe Elton Pikli. Në kërkim janë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Talo Çela, Aleks Pepa dhe dy ish efektivë policie, një mashkull dhe një grua.
Ti dërrmojnë me fis e sorollop!
Përgjigju