Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës i përshkruar nga shumë turistë të huaj si Tajlanda e Shqipërisë.
“Pamje nga peizazhet që Lumi i Shalës krijon në zonën e Shoshit të Dukagjinit, një spektakël i ngjyrave dhe i relievit, por edhe një atraksion turistik për të cilin flasin të gjithë”, shkruan Rama krahas videos së publikuar.
Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km duke u derdhur në liqenin e Komanit. Vitet e fundit ky liqen është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuar në veriun e Shqipërisë.
Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.