Bota

PAMJET me dron nga protesta në Tel Aviv, 500 mijë protestues u 'derdhën' në shesh për të kërkuar fundin e luftës: Pushtimi i Gazës është çmenduri

18 Gusht, 09:47| Përditesimi: 18 Gusht, 09:57

  • Share

Nëse i numëron, shifra është ajo e një revolte popullore. Një milion izraelitë, nga një total prej dhjetë milionësh, kanë zbritur në rrugë kundër qeverisë dhe kundër synimit të shpallur për të vazhduar luftën me pushtimin e gjithë Rripit të Gazës. Vetëm në Tel Aviv, sipas organizatorëve, janë mbledhur 500 mijë në të ashtuquajturën “Sheshi i Pengjeve” para Muzeut të Artit. Disa madje, me një vlerësim shumë bujar, flasin për 2,5 milionë pjesëmarrës. Por nëse e mat, bëhet e vështirë të besohet se kjo grevë, e dyta gjatë konfliktit, e para ishte në shtator 2024 pas gjetjes në Gaza të trupave të gjashtë pengjeve, do të ndryshojë me të vërtetë kursin e planeve të Netanyahut. Pamjet me dron tregojnë mijëra izraelitë të derdhur në shesh duke kërkuar ti jepet fund luftës në Gaza.

Protesta e përgjithshme që duhej të bllokonte Izraelin, dhe që pjesërisht e bllokoi, por pa e paralizuar plotësisht siç shpresonin organizatorët e Këshillit të Tetorit (familjet e pengjeve dhe të viktimave të terrorizmit), filloi në orën 6:29 të mëngjesit të së dielës. Protestuesit i kërkuan Netanyahut kthimin në shtëpi të 50 pengjeve (20 prej tyre ende gjallë), pra një marrëveshje me Hamasin dhe fundin e një konflikti që po e ndan shoqërinë izraelite. Gjithnjë e më shumë rezervistë nuk duan të kthehen në shërbim, gjithnjë e më shumë ushtarë refuzojnë të luftojnë në Gaza, ku gjithçka është shkatërruar nga 22 muaj bombardime, gjithnjë e më shumë izraelitë shohin të zgjatet hija e krizës ekonomike të shkaktuar nga makina e kushtueshme ushtarake.

Në mëngjes goma të djegura bllokuan autostradën kryesore, numër një, që lidh Tel Avivin me Jerusalemin. Në të njëjtat orë, marshimet ndalën qarkullimin në Ayalon dhe Petah Tikva, në Haifa bashkia doli në marshim solidariteti me pengjet, ndërsa aktivistë të ulur në asfalt u goditën me topa uji nga policia në një tunel përgjatë rrugës 16 jashtë Jerusalemit. Në Tel Aviv, një shofer kamioni u fut mes turmës duke plagosur disa persona të ardhur nga kibbutzi Nir Oz. U shënuan 39 arrestime. "Liria e protestës dhe e shprehjes nuk do të thotë të jesh i lirë të ndezësh zjarre apo të pengosh lëvizjen", thuhet në komunikatën e policisë. Greva vazhdoi gjatë gjithë ditës, me demonstrata edhe para banesave të disa ministrave.

"Nuk do ta fitojmë luftën mbi trupat e pengjeve", thërrisnin protestuesit. "Nuk mund të jetë vetëm një ditë greve, duhet të bëjmë edhe të tjera", u shpreh një prej ish-pengjeve Arbel Yehoud. Federata kryesore sindikale izraelite, Histadrut, nuk iu bashkua, por la liri zgjedhjeje. Në Tel Aviv u panë dyer të ulura hekuri dhe dyqane të mbyllura (jo shumë). Presidenti Isaac Herzog u shfaq në sheshin e pengjeve, i mbushur që në orët e para, duke iu drejtuar familjeve të atyre që, pas 681 ditësh, janë ende në duart e Hamasit. "I gjithë populli dëshiron lirimin e tyre, dua t’u them pengjeve që ndodhen ende në tunele se nuk i kemi harruar. U drejtohem mediave ndërkombëtare dhe vendimmarrësve politikë: mjaft me këtë hipokrizi. Thuajini Hamasit: asnjë marrëveshje, asgjë, derisa t’i lironi". Netanyahu, gjatë një vizite në vendbanimin Ofra në Bregun Perëndimor, dënoi grevën. "Kush sot kërkon fundin e luftës pa mposhtur Hamasin, e forcon Hamasin dhe ngadalëson lirimin e pengjeve", tha ai, duke u pozicionuar në linjën e ministrave të tij më ekstremistë, Ben-Gvir dhe Smotrich.

Mjaftonte të përmendeshin emrat e tyre në sheshin e mbushur të Tel Avivit për të shpërthyer një valë fishkëllimash. “Bring them home” (Sillini ata në shtëpi) ishte slogani më i lexuar në pankarta, por edhe “End this fucking war” (Jepi fund luftës) dhe “Seal the big deal” (firmosni marrëveshjen). Sepse — ky është mendimi i përhapur — "luftimi në Gaza nuk ka më kuptim, pushtimi i Rripit është çmenduri".

Valëviteshin flamujt e verdhë simbol i pengjeve (të shumtë), flamujt e Izraelit (edhe më të shumtë) dhe disa flamuj të paqes (të paktë). Rrugët përreth sheshit ishin të mbushura plot me njerëz. "Jemi më shumë se herët e tjera", vëzhgonte entuziast 42-vjeçari Daniel Iasri, një nga shumë të pranishmit në turmë. Në mbrëmje të vonë, një grup manifestuesish u zhvendosën drejt selisë fqinje të Likudit, partisë së Netanyahut, ku ndezën një zjarr dhe u përplasën dhunshëm me policinë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?