Kronikë

VIDEO/ Në arrest shtëpie, por vijonte prodhimin e dokumenteve false! Në pranga babë e bir, u zbulohet laboratori në banesën në Tiranë! 20 mijë € pasaporta për në BE

5 Korrik, 10:47| Përditesimi: 5 Korrik, 11:46

  • Share

TIRANË- Prej qershorit 2024, Ylli Brahimaj ishte në masën arrest shtëpie nën akuzën për trafik emigrantësh, të cilëve u siguronin edhe dokumente të falsifikuara. Por pavarësisht se SPAK u goditi grupin, Brahimaj e ka vijuar aktivitetin e paligjshëm nga shtëpia, bashkë me të birin. Brenda banesës së tij, Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër laborator për falsifikim dokumentesh, me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga kanë rënë babë e bir, Ylli Brahimaj, 65 vjeç, dhe Pjerin Brahimaj 45 vjeç, ndërsa bashkëpunëtori i tyre, një 62-vjeçar është vënë në hetim. Operacioni policor i koduar “Identiteti” u finalizua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në videot e ndara nga policia, dallohet qartë ambienti që babë e bir e kishin përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve dhe pasaportave. Dera e këtij ambienti ishte kamufluar mjeshtërisht pas një rafti rrobash, duke e bërë të vështirë zbulimin e tij. Në pamje dallohet një prej efektivëve të policisë, ndërsa hap derën e raftit dhe më pas futet në ambientin e përshtatur si laborator, ku shihen të gjitha mjetet e nevojshme për falsifikimin e dokumenteve.

Gjatë kontrollit në banesë, forcat e rendit sekuestruan dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje që shërbenin për realizimin e këtij aktiviteti kriminal. Sipas të dhënave të hetimeve, një pasaportë false me shtetësi të huaj shitej nga 15 mijë deri në 20 mijë euro. Këto dokumente më pas përdoreshin për kalime të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve. Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave. Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA", njoftoi Policia e Tiranës. 

Policia ka bërë të ditur se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të falsifikimit dhe trafikimit të dokumenteve. Vetëm një muaj më parë, 5 qershor, dosja e grupit të Brahimajt është dërguar për gjykim me 37 të pandehur. Brahimi me anëtarët e tjerë të grupit akuzohen për trafik emigrantësh dhe gjatë viteve 2022-2024 kanë mundësuar kalimin e paligjshëm të shqiptarë në rrugë tokësore, ajrore dhe detare drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë.

Pasi siguronin dokumente të falsifikuara, anëtarët e grupeve gjenin ndërmjetësit për t’i dërguar shqiptarët drejt këtyre vendeve, kundrejt një pagese të caktuar. Transportimin e dokumenteve dhe personave e kryenin përmes agjencive “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin.

1751706225_111.jpg

Pjerin dhe Ylli Ibrahimaj

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?