Makina retro, lloje unike, që nuk ndodhen më në treg, por edhe prodhime të reja kryesisht elektrike të ekspozuara në një panair të veçantë në sheshin "Nënë Tereza" dedikuar automobilizmit dhe motorsportit. Shfaqje që kanë zgjuar kuriozitet të lartë tek të apasionuarit, por edhe tek njerëzit e thjeshtë, të cilët në ditën e dytë të Automotive Fair Albania shijuan garën e makina eletrike, si një promovim të teknologjisë së gjelbër.
“Unë sot kam ardhur të shoh evente, garat me makina. Më pëlqen shumë kur ka drift me makina,”-u shpreh një fëmijë.
“Është një event që mezi e kam pritur. Numëroja ditët për të arritur në këtë moment. Është momenti më kulmor i automobolizmit. Unë do marrë pjesë në paradën e makinave historike, që është ditën e dielë. Është demonstrative, pa ecur shumë shpejt për t’I treguar publikut bukurinë e këtyre makinave,”-deklaroi Gentian Shaqiri, pilot.
Një kënd të veçantë kishte për panairin e mjeteve dhe motomjeteve të viteve të fundit.
“Është hera e parë që zhvillohet në qendër të kryeqytetit dhe lëvizjet kanë qenë më të mëdha. Ka patur më shumë vizitorë dhe për ne ka qenë akoma më mirë,”-u shpreh një përfaqësues i një marke të njohur makinash.
Në axhendën e ‘Automotive Fair Albania’ dita më e ngarkuar do jetë e shtuna me dy lloje të ndryshme garash, supermoto si fillim dhe më pas çmimi i madh i Tirana Grand Prix.