Si çdo vit edhe këtë herë është hapur panairi i librit! Në fakt, duket se këtë vit më shumë se kurdoherë duket si një një arenë që është pushtuar nga politikanët më shumë për propagandë sesa si një vend që duhet të frekuentohet nga lexuesit dhe qytetarët!
Në fakt sipas një sondazhi shumica e shqiptarëve nuk kishin blerë një libër për gjithë vitin që po lëmë pas dhe këtë disa e argumentuan me faktin se çmimet janë larta e xhepat e qytetarëve nuk ua mbajnë për t'i blerë! Ndoshta deri diku kjo është e vërtetë, por përtej kesaj ka shumë të vërteta të tjera të hidhura! Është e ditur botërisht se intelektualët nuk janë të pasur, sepse për ta materializimi ka një rol dytësor në jetë! Në çdo kohë e në çdo rrethanë ai që e ka pasion dijen dhe leximin gjenë një mënyrë për të marrë një libër për ta lexuar! Shqiptarët e kanë gjetur mundësinë dhe mënyrën për të lexuar edhe librat e ndaluar në kohën e Regjimit. Shqiptarët nuk janë më të varfër se atëherë! Por çfarë po ndodh sot në Shqipërinë tonë dhe cili është raporti mes dijes e suksesit në jetë? Mjafton të themi se shumë të rinj që janë larguar këtë vit me gomone në Londër janë me arsim të lartë! Çfarë solli dija për ta? A e shërojë dija shpresën për një jetë më mirë? Pra, nuk ka blerje librash e ka pak interes për librin për dy arsye themelore:
- Intelektualët janë larguar e po largohen të dëshpëruar e për pasojë ka më pak të pasionuar për leximin
- Mungesa e meritokracisë ka bërë që vendin e dijes ta zënë fenomene të tjera që kanë të bëjnë me të fortin që kontrollon lagjen e po ashtu ka prodhuar punësime nepotike apo me prapavijë politikr duke vrarë shpresën se me dije e me shkollim mund të ndërtohet një jetë dinjitoze!
Këta dy fenomene i ka shkaktuar pikërisht kjo klasë politike që ka vrarë dijen dhe po ashtu ka përsëri kurajë të prezantohet në "vendin e krimit" për ta perdorur përsëri për propagandë dhe për të manipuluar opinionin publik përmes dijes që nuk e vlerësuan kurrë!
Të shkruash sot një libër është një pasion për të shkruar ose rrëfyer, por në fakt kostot dhe mbështetjet shtetërore nuk ekzistojnë! Ka shumë pak ose fare mbështetje për kërkimet shkencore e po ashtu tregu është aq shumë i vështirë sa thuajse shumica e atyre që publikojnë nuk sigurojnë as kostot e jo më të flasim për fitime të mundshme e të merituara!
Këto tre ditë kishim në panair politikanët tanë si vizitorë që shumë prej nuk kanë lexuar një libër në jetë e disa prej tyre me politikën e tyre e kanë vrarë dijen si mundësi suksesi apo respekti! Sot, në shoqërinë shqiptare të prezantohesh ose të jesh intelektual është thuajse sikur të thuash: sa gjynah i shkreti, merret me libra, shkruan e publikon, por eshte aq i varfër sa nuk ka dy mijë lekë të vjetra që të paguaj një kafe! Sikur të mos mjaftonte kjo çmimet për librin i ndan dikush që ka pushtet, por nuk ka asnjë lidhje me librin!
Nëse bëjmë një xhiro nëpër Shqipëri e në Tiranë do të shikojmë njerëz me makina luksoze që nuk kanë lexuar një libër e po ashtur rrugëve me pantallona doku në këmbë ose që lëvizin me biçikleta do të takojmë qytetarë që kanë disa diploma, shkruar disa libra, por janë aq të varfër sa jetojnë me qira, janë të papunë ose marrin një pension që paguajnë dot as ilaçet! Është e pamoralshme që kjo klasë politike që ka vrarë dijen si model suksesi ose si model respekti shoqëror të kenë kurajën të shkojnë në "vendin e krimit" e ta përdor përsëri për propagandë në shërbim të pushtetit që bazohet mbi injorancë, devijancën e mbi zollumet e tyre që nuk kanë asnjë lidhje me dijen!