Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në Kalabri

Panairi i verërave arbëreshe, në Kalabri, ministrja e Bujqësisë vishet me veshje tradicionale: Forcojmë bashkëpunimin me produktet e ekselencës shqiptare

27 Qershor 2023, 11:53| Përditesimi: 27 Qershor 2023, 12:03

  • Share

Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prodhuesit e verërave dhe Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave, prezantuan ekselencat shqiptare në prodhimin e verërave dhe produktet e traditës, në konkursin e verës “Verërat Arbëreshe” të organizuar nga prodhuesit e verës arbëreshe në Vacarizzo Albanese, në rajonin e Kalabrisë, Itali.

E pranishme në këtë event të rëndësishëm ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cila këtë herë ishte veshur me veshje tradiconale arbëreshe.

Ministrja tha se, “në vijim të vizitës së kryeministrit Edi Rama në tokat arbëreshe disa javë më parë, ku u morën angazhime për më shumë shkëmbim e bashkëpunim mes komuniteteve tona, u organizuam institucionalisht, për herë të parë, me prodhuesit tanë të verërave dhe Shoqatën e Restoranteve dhe Bujtinave për të prezantuar ekselencat shqiptare në prodhimin e verërave dhe produktet e traditës në konkursin e verës “Verërat Arbëreshe” të organizuar nga prodhuesit arbëreshë të verës në Vacarizzo Albanese”.

Ministrja vuri në dukje lidhjen e ngushtë mes komuniteteve tona, teksa shprehu angazhimin për të çuar përpara bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve përmes projekteve konkrete zhvillimore.

“E ngrohtë dhe e magjishme lidhja jonë e gjakut, të cilën përmes angazhimit për më shumë shkëmbim e bashkëpunim ekonomik do ta forcojmë më tej me projekte konkrete zhvillimi”, tha Krifca.

Edicioni i 18-të i Panairit të verës “Vini Arbëreshë”, që u mbajt më 24 qershor në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri, në zonën arbëreshe, bëri bashkë prodhuesit më të spikatur të verës tradicionale arbëreshe dhe shqiptare, me qëllimin promovimin e cilësisë së verës, ripërtëritjen e identitetit historik, kulturës dhe traditës shqiptare.

Në këtë panair merrnin pjesë autoritetet e këtij rajoni; Antonio Pomillo, kryetar i bashkisë Vaccarizzo Albanese, Gianluca Gallo, këshilltar për Bujqësinë, Resurset Agroushqimore dhe Pyjtarinë, Rajoni i Kalabrisë, Giacomo Giovinazzo, drejtor i përgjithshëm i departamentit për bujqësinë dhe resurseve agroushqimore, Rajoni Kalabrisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?