Ndërsa vendi po kalon një periudhë të vështirë ekonomike për shkak të pandemisë, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se vetëm financimi direkt pa kushte i bizneseve ndalon rrënimin e tyre. Ai thekson se financimi me kredi me interes 5%, në një kohë kur interesat e depozitave janë zero dhe po të llogariten komisionet e transaksioneve, ato janë qartësisht negative.
Postimi i plotë i Edmond Panaritit:
Vetëm financimi direkt, pa kushte i bizneseve ndalon rrënimin e tyre! 70 % e tyre tashmë janë në pikiatë. Me premtime "parash sovrane" të cilat as nuk rrjedhin dhe as pikojnë , ato po prekin fundin. Ashtu siç pritej, paratë e premtuara sovrane të qeverisë për pandeminë, jo vetëm që nuk po disbursohen por e kanë bërë akoma më të vështirë kreditimin e biznesit..I cili sot e ka jetësore, financimin për të mbijetuar. Dhe bëhet fjalë për financim me kredi me interes 5%, në një kohë kur interesat e depozitave janë zero dhe po të llogariten komisionet e transaksioneve ato janë qartësisht negative. Shkurt i bie që duhet të paguash që banka të ruajë paratë e tua, ndërkohë që nuk i përfiton ato si kredi edhe me "taksë" interesi 5%. Vetëm Shqipëria, dhe asnjë vend tjetër po luan në këtë mënyrë me bizneset e saj që po lëngojnë dhe falimentojnë .
Bashkimi Evropian dhe Amerika kanë zgjedhur vetëm pagesat me para në dorë, para direkt, pa kushte në konto për bizneset e tyre.. Nuk "tallen" me sofizmat e garancive sovrane!