Psikiatrja, Arjana Rreli në një lidhje skype për Report Tv, ka folur lidhur me ngjarjen që tronditi vendin tonë mëngjesin e sotëm në Astir, dyshimet e forta që ishte pasojë i problemeve të shëndetit mendor dhe ndikimin e pandemisë në jetët tonë.
Psikiatrja tregoi se një veprim kaq ekstrem si ai i 36-vjeçarit që i vuri flakën shtëpisë e më pas së bashku me nënën u hodhën nga dritarja, vjen në rastet kur dëmtohet gjykimi.
“Problemet që dëmtojnë gjykimin, dëmtojnë edhe autokritikën, duke bërë që këta persona edhe kur e kuptojnë që kanë një probelm ta refuzojnë atë. Ky dëmtim i gjykimit, kur vjen bën këta persona që të ndërpresin mjekimin. Nga ana tjetër ka edhe nga ata që nuk e kanë kuptua asnjëherë që janë të sëmur, duke vënë në rrezik vetën e tyre, familjarët por ndonjëherë edhe të komunitetit.”, u shpreh ajo.
Duke folur lidhur me pandemisë, Arjana Rreli theksoi se pandemia ka pasur një ndikim të pamohueshëm në shëndetin mendor të të gjithë njerëzve në botë, pasi ka rritur tensionin, ankthin si dhe problemet socio-ekonomike.
“Edhe pandemia ka ndikimin e vet. Kjo pandemi bëri që ne të kufizoheshim nga ana sociale me problematika që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor. Edhe frika nga pandemia rriti ankthin dhe tensionin tonë psikologjik. Ne që punojmë në shërbimin ambulator e vëmë re këtë gjë çdo ditë pasi janë shtuar rastet. Lajmi i mirë është se rastet janë problematike minore në përgjithësi. Askush nga ne nuk i shpëton një problematike të vogël për shkak të kësaj situate që ka pllakosur në të gjithë vendin. Pandemi e shëndetit mendor është një realitet. Ne presim rritjen e numrit të rasteve. Sepse ka lidhje të drejtpërdrejtë me traumat, për ne nuk ishte vetëm pandemia traumë por edhe tërmeti. Vetëm duke marrë parasysh këto 2 trauma por edhe pasojat që ndonjëherë janë edhe afatgjata ne do të pasohemi edhe nga një pandemi tjetër e shëndetit mendor.”, tha ajo për Report Tv.
E pyetur lidhur me trajtimet që duhet të marrin personat që përjetojnë probleme të tilla dhe kapacitetet që kujdesen për ta ajo tha se në Tiranë ka tre qendra të kujdesin ambulator, por që për shkak të rritjes së popullsisë, mungesat në staf dhe shërbime po pakësohen.
“Sot në të gjithë vendin kemi personel i cili është shumë mirë i plotësuar me psikologë, punonjës social dhe infermierë që bëjnë trajtimin ambulator shumë të specializuar. Në Tiranë kemi 3 qendra, që personat e prekur kontrollohen 1 herë në muaji, dhe një herë në 3 muaj kur gjendja e tyre është stabilizuar. Ky është trajnimi ambulator. Po këto qendra me këto shërbime, janë ata që kanë kaluar krizën në spital dhe bëjnë ndjekjen ambulatore. Këto 3 qendra me shtimin e popullatës nuk mund ta përballojnë një detyrë e qendrës, që një pjesë e personelit të zbulojë raste në komunitet, por kjo është bërë gati e pamundur. Njësoj edhe për spitalit, aktualisht ka deficite të mbulimit të popullatës, për sa i përket edhe shtrimeve në spital. Me gjithë punën e palodhur të personelit, ka ende mungesa.”, tha Rreli.
Arjana Rreli tha se përveç pandemisë së COVID-19, ne jemi duke përjetuar në tjetër pandemi, atë të shtimit të rasteve me hasjen e problematikave të shëndetit mendor.
“Ne presim gjithnjë e më tepër raste të problematikave që lidhen me shëndetin mendore, për shkak të traumave që kalon njeriu. Për ne nuk ishte vetëm COVID-19 por edhe tërmeti, që ka shkaktuar probleme shumë të mëdha edhe ekonomike, që pasojat shpesh janë edhe afatgjata, ne do të pasohemi nga një tjetër pandemi, ajo e shëndetit mendor. Nuk duhet të frikësohemi, por duhet të mendojmë që truri është një tjetër organ i trupit, njësoj si organet e tjera.” u shpreh ajo.