Pandemia në Ballkan/ 28 viktima dhe 1056 infeksione të reja në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë

24 Korrik 2020, 15:10| Përditesimi: 24 Korrik 2020, 16:28

  • Share

Pandemia e koronavirusit po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, me 15.5 milionë njerëz të infektuar.

Europa zyrtarisht ka mbi 3 milionë raste Covid-19 si dhe një total prej  206.714 viktima.

Ndërkohë situata paraqitet problematike në Ballkan ku Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina prej disa javësh po përballen me shifra rekordesh ditore infeksioni.

Koronavirusi në Serbi

Në Serbi, Ministria e SHëndetësisë deklaroi se gjatë ditës së fundit në vend u regjistruan 409 persona të identifikuar me Covid dhe 10 viktima.

Që nga fillimi i pandemisë, Serbia ka regjistruar 509 persona që kanë humbur jetën nga infeksioni, për një total prej afro 22 551 të prekurish nga koronavirusi.

Covid në Rumani

Rumania ka regjistruar në 24 orët e fundit një numër rekord infeksionesh të reja të regjistruara që nga fillimi i pandemisë Covid.

Autoritetet u deklaruan për 1119 persona të identifikuar pozitiv me koronavirus në 24 orët e fundit. Gjithashtu në vend janë regjistruar edhe 24 viktima.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga infeksioni, që nga fillimi i pandemisë është 42 394, për një total viktimash prej 2150.

Ministri i shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza ka deklaruar sot se ka nënshkruar një rregullore të re që parashikon karantinë të detyrueshme për qytetarët që kanë qëndruar në Rumani dhe Bullgari në 14 ditët e fundit

Pandemia në Bosnje Hercegovinë

Në federatën e Bosnje Hercegovinës, gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 305 persona të identifikuar me infeksionin e koronavirusit dhe 6 vdekje.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në vend, numri i përgjithshëm i të prekurve nga Covid, që nga fillimi i emergjencës shëndetësore është rritur në 9767, kurse totali i viktimave ka shkuar në 280

Covid në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar se kanë humbur jetën nga infeksioni i koronavirusit 6 pacientë.

Autoritetet shëndetësore u deklaruan gjithashtu edhe për 129 raste të reja të identifikuar me koronavirus.

Sipas statistikave të fundit në Maqedoni ka patur që prej fillimit të pandemisë gjithsej 9799 raste me Covid-19, kurse betejën me koronavirusin e kanë humbur 501 pacientë. 

Pandemia në Kosovë

Në Kosovë, në 24 orët e fundit janë regjistruar 6 viktima nga infeksioni i koronavirusit, për një total prej 164 raste vdekjesh.

Gjithashtu autoritetet raportuan edhe për 213 raste të reja të identifikuar pozitiv me Covid-19, shifër kjo që e rrit numrin e përgjithshëm të të prekurve në 6680

Covid në Kroaci dhe Slloveni

Autoritetet në Kroaci kanë deklaruar se totali i infeksioneve nga Covid është rritur në 4715, nga të cilat në 24 orët e fundit u regjistruan 81 të prekur, teksa numri i viktimave ka mbetur i pandryshuar, 128.

Në Slloveni në 24 orët e kaluara u identifikuan të prekur nga infeksioni 19 persona, për një total prej 2052 raste që prej fillimit të pandemisë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?