Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 169 raste të reja pozitiv me Covid dhe 9 viktima.
Komuna me numrin më të madh të rasteve të reja me COVID-19, është ajo e Prishtinës, ku janë regjistruar 34 raste
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani numri total i rasteve të infektuar në vend është 12.337 kurse totali i vdekjeve ka shkuar në 457 raste që prej fillimit të emergjences shëndetësore.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 197 pacientë teksa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 8.346 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.534
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër koronavirusit, duke paralajmëruar se gjatë muajit shtator, rreziku nga infektimi me këtë virus, mund të rritet.
Ndonëse Hoti tha se ditëve të fundit ka pasur rënie të rasteve të reja me COVID-19, (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) situata mund të ndryshojë me kthimin e nxënësve në shkolla gjatë muajit shtator.
“Shtatori është shumë afër kur mijëra nxënës, prindërit e tyre dhe arsimtarët do të jenë në kontakt me njëri-tjetrin, duke e shtuar shumë rrezikun e infektimit”, ka shkruar Hoti në Facebook
Autoritetet kompetente në Kosovë ende nuk kanë vendosur lidhur me mënyrën se si do të nisë viti i ri shkollor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës ka prezantuar një plan se si do të nisë viti i ri shkollor, por i cili megjithatë pret miratimin edhe të ekzekutivit. Aty është paraparë që viti i ri shkollor të nisë në tri faza - më datë 1 shtator, 7 shtator dhe grupi tjetër më 10 shtator.
Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar pozitiv me Covid 170 persona dhe sipas autoriteteve në repartet e terapisë intensive ndodhen 46 pacientë.
Totali I infeksioneve në vend është rritur në 30 548. Gjithashtu në vend pati edhe 3 viktima, për një total prej 659 që nga fillimi i pandemisë. Shkalla e vdekshmërisë në Serbi është 2.28.
Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 150 raste të reja infeksioni dhe 6 viktima.
Sipas autoritetevë, totali i infeksioneve në vend është rritur në 13 458 kurse numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 563. Që prej fillimit të pandemisë gjithashtu janë shëruar mbi 10 mijë pacientë
Në Kroaci gjatë 24 orëve të fundit pati 306 raste të reja të identifikuar me Covid dhe 1 viktimë. Që nga fillimi i epidemisë, janë regjistruar gjithsej 7.900 infeksione dhe 170 vdekje
Kroacia riktheu disa kufizime antiCOVID-19 për të frenuar shpërthimin e shpejtë të pandemisë, që ka nxitur largimin e turistëve të huaj duke shkatërruar shpresat për një sezon veror të vonë të mirë.
“Duke kërkuar të frenojë përhapjen e koronavirusit dhe të veprojë në bazë të rekomandimeve, qeveria vendosi një sërë masash që do të hyjnë në fuqi të hënën dhe do të zgjasin së paku 14 ditë”, njoftuan autoritetet.
Kafenetë dhe baret do të lejojnë vetëm klientë në zona të hapura, jo më shumë se 50 persona do të lejohen në funerale e dasma dhe jo më shumë se 20 në festime private.
Austria, Italia dhe Sllovenia e listuan të gjithë Kroacinë në zonën e kuqe, për shkak të rritjes së rasteve gjatë 10 ditëve të fundit, ndërsa Gjermania etiketoi dy rajone bregdetare të saj si të pasigurta.
Turistët nga të këto katër vende përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj në Kroaci.