Ekonomi

Pandemia nxiti përdorimin e internetit! INSTAT: Rritet me 12.1% numri i familjeve që kishin akses në teknologji, burrat më të varur se gratë

2 Prill 2021, 16:29| Përditesimi: 2 Prill 2021, 16:32

  • Share

Pandemia COVID-19 ka nxitur qytetarët që të shkojnë drejtë përdorimit të teknologjisë, për punë, për të blerë apo për të marrë shërbime të ndryshme. Përdorimi i internetit ka arritur kulmin gjatë karantinës, ku i vetmi mjet komunikimi ku mund të merrje informacion dhe të kryeje pagesa apo blerje ishte teknologjia.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të kaluar nga grup-mosha 16 - 74 vjeç, e përdorin internetin 72,2 % e popullsisë, nga të cilët 88,2 % e përdorin çdo ditë.  Ndërkohë në vitin 2019 ky tregues ishte 68.6% kishin përdorur internet në tre muajit e fundit nga momenti i kryerjes së intervistës, nga të cilët 87,1 % e përdorin atë në baza ditore.

Rritet aksesi i familjeve në internet

Bazuar në raportin e fundit të INSTAT  për “Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Familje”, thuhet se gjatë vitit të kaluar 440.390 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12,1% krahasuar me 2019.

Përdorimi i TIK sipas gjinisë

Përdorimi i internetit në vitin 2020 si për burrat edhe për gratë shënon vlerat më të larta, duke shënuar rritje prej 3,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019. Gjatë vitit 2020, 73,2 % e burrave dhe 71,2 % e grave të grup-moshës 16-74 vjeç janë përdorues të internetit “gjatë 3 muajve të fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës.  Varësinë më të lartë ndaj përdorimit të internetit e kanë burrat, pasi 51,1% e të intervistuarve shprehen se e përdorin internetin çdo ditë, ndërsa përdorimi i tij “të paktën një herë në javë” dominohet nga gratë me 53,8 %.

Sa i përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2020 gratë kanë kryer më shumë blerje për: “produkte shtëpiake”, “produkte për kujdes personal  si dhe produkte për fëmijë apo lodra për ta. Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për mallra sportive, shërbimet e ushqimit nga restorante si dhe filma, serialë apo DVD.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?