Pandemia COVID-19 ka përkeqësuar gjendjen financiare të sipërmarrjeve në vend, të cilat në mungesë të shitjeve kanë rritur borxhet. Sipas bankës së Shqipërisë 22% e ndërmarrjeve të anketuara thonë se e kanë borxhin më të lartë se kapitalin e tyre. Subjektet më të dëmtuara janë ato të vogla dhe të mesme.
Pandemia COVID-19 përveç se ka rënduar situatën financiare të bizneseve në vend, po i vë përball edhe disa vështirësive të tjera siç janë konkurrenca e padrejtë si dhe vështirësia në gjetjen e tregut. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020 thuhet se konkurrenca paraqitet në rënie për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve.
Si pasojë e pandemisë dhe kushteve të diktuara prej saj shitjet në të gjitha kategoritë e ndërmarrjeve kanë rënë. Sektori më i goditur ka qenë biznesi i vogël, ku numri i shitjeve sipas raportit është reduktuar me 36.9%, me një nivel të përkeqësuar në krahasim me një vit më parë. Rënie është regjistruar edhe tek bizneset e mesme dhe të mëdha përkatësisht me -30.2% dhe -10.7%.
Përpos kësaj situate negative sipërmarrjet e mesme dhe të mëdha janë optimiste se gjendja do të përmirësohet, ndërsa ato të vogla janë pesimiste. Kjo rënie e shitjeve ka përkeqësuar edhe situatën financiare të bizneseve, ku edhe në këtë drejtim situata është më e rënduar tek biznesi i vogël.
Nga qershori-dhjetor 2020 23% e ndërmarrjeve të mesme dhe 22% e ndërmarrjeve të mëdha kanë borxhe sa vlera e kapitalit total të tyre ose më të lartë. Ky tregues nënkupton një ngarkesë më të lartë me borxh. Sipas vrojtimit borxhet tek ndërmarrjet e vogla janë rritur me 2.8% dhe për ato të mesme me 5.3 %. Ngarkesa me borxh vijon të mbetet më e lartë tek ndërmarrjet e sektorit të shërbimeve dhe ato të tregtisë.